Manastirliu: Mbrojtje të menjëhershme për gratë e vajzat

schedule15:17 - 25 Nëntor, 2018

schedule 15:17 - 25 Nëntor, 2018

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ndriçuar portokalli, me rastin e ditës ndërkombëtare kundër dhunës me bazë gjinore. Ministrja Manastirliu bëri të ditur se të gjitha gratë dhe vajzat e dhunuara do të përfitojnë mbrojtje të menjëhershme pas denoncimeve të tyre.

Në kuadër të ditës ndërkombëtare kundër dhunës me bazë gjinore, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ndriçua portokalli duke çelur fushatën e 16 ditëve të aktivizimit kundër kësaj dhune. Në fjalën e saj ministrja Manastirliu deklaroi se pasi gratë bëjnë denoncime për dhunë janë më të mbrojtura.

“Ne kemi përfshirë në këto ndryshime ligjore instrumente të rëndësishme të cilat ne na garantojnë që një grua që denoncon dhunën është shumë më e mbrojtur sot seç ishte dje pasi urdhri i menjëhershëm paraprak i mbrojtjes vendoset që në 24 orët e para të denoncimit të dhunës”, tha Ogerta Manastirliu.

Duke vënë theksin te rëndësia e parandalimit të dhunës, Manastirliu tha se duhet të bëhemi të gjithë bashkë për mbështetjen e vajzave dhe grave.

“Gratë nuk lindin gra. Ato janë vajza dhe ne kemi një përgjegjësi shumë të madhe si drejtues institucionesh, si politikanë bërës, t’i sigurojmë çdo vajze që kur lind mirëqëndia që ajo e meriton. Kudo që ajo lind, në fshat apo qytet, në zonatë thella rurale apo në kryeqytet ajo duhet të ketë mbështetjen e të gjithë ne”, u shpreh ministre e Shëndetësisë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vetëm gjatë 10 muajve të këtij viti, janë denoncuar 4182 raste dhune, nga të cilat janë bërë mbi 2500 kërkesa dhe padi. Një në tri gra në Shqipëri raporton të jetë përballur të paktën 1 herë me dhunën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!