Partizani vazhdon të besojë tek fitorja e titullit edhe pas humbjes në Vlorë me Flamurtarin. Drejtori Olsi Rama takoi lojtarët në fund të ndeshjes së Superligës, ndërsa trajneri Gega u tregua i qetë.
Nuk ishte rezultati që dëshironin, por do të bëjnë edhe kështu. Partizani humbi në Vlorë ndaj Flamurtarit, duke pësuar një pengim në synimet drejt titullit, por trajneri Gega, u përpoq të ishte i qetë. Edhe para ndeshjes së radhës në Superligë, ai e kishte marrë parasysh disfatën, siç foli në konferencën për shtyp.
Gjithsesi, në përfundim të takimit, Gega dhe lojtarët u vizituan nga drejtori sportiv, Olsi Rama, i cili sëpari kërkoi llogari për acarimin që pati zv/kapiteni Lorenc Trashi me tifozët vlonjatë. Më pas, Rama kërkoi që të mos kishte tronditje dhe të shikohej përpara. Në një linjë edhe trajneri.
Si do ta vlerësonte Gega këtë ndeshje?
“Ishte një aspekt. Ndodhi në lojë. Gabime bëjnë të gjithë. Edhe Vlora gaboi disa herë, por nuk u ndëshkua. Ne u ndëshkuam me një gol ndoshta edhe të evitueshëm. Është një tre pikësh i humbur. Ne menduam të dalim të mos dalim pa pikë, por kështu është futbolli”, tha Gega.
Humbi Partizani, por edhe fitoi Flamurtari. Trajneri Daja po sheh shenja inkurajuese. Vlonjatët kishin zhgënjyer deri tani, por çfarë synimesh kanë në Superligë?
“Ne nuk i ndryshojmë objektivat nga një ndeshje në një ndeshje tjetër. Ne duhet të shohim gjatë gjithë kohës që të rekuperojmë dhe të pozicionohemi hap pas hapi më mirë në tabelën e klasifikimit dhe më pas për të bërë më mirë llogaritë e klasifikimit”, u shpreh Daja./abcnews.al