Rama i përgjigjet opozitës: Policja Ina Nuka është e trajnuar

schedule14:54 - 24 Nëntor, 2018

schedule 14:54 - 24 Nëntor, 2018

Policja Ina Nuka jo vetëm është e trajnuar, por edhe përgatitur fizikisht. Është kjo përgjigja që i jep kryeministri Edi Rama zërave të opozitës, që e bëjnë përgjegjëse efektiven e policisë për plagët e marra. Politikës i drejtoi një thirrje edhe Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, duke i kërkuar që të rreshtohen në krah të uniformave blu, jo kundër tyre.

I rrethuar nga Policia e Shtetit kryeministri Edi Rama i jep përgjigje akuzave të opozitës se efektivja Ina Nuku humbi gishtat, sepse nuk kishte trajnimin e duhur për situata të tilla.

“Ajo vajza dhe shumë të rinjtë tjerë, jo vetëm që janë të trajnuar, por stërviten fizikisht çdo ditë. Sot do të kishim një tjetër dëshmore dhe mesa di, të parën dëshmore të Policisë së Shtetit. Dëshmorët kanë rënë më së shumti para vitit 2013 kur ishin pajisur me armë që nuk punonin dhe automjete që i linin në rrugë” –kujton kreu i qeverisë.

Kemi 265 dëshmorë të Policisë së Shtetit prej të cilëve vetëm 6 janë përpara vitit 1990. E djeshmja me të sotmen ka shumë dallim tha kryeministri duke lavdëruar punën e  ish- ministrave të Brendshëm Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafaj.

“Sot ka të tjera sfida policia e shtetit, në funksion të së cilës është edhe flota e re e prezantuar prej 134 autoveturash dhe 30 motoçikletash. Njëkohësisht kjo është flota e parë e siguruar me një kontratë ndryshe, 4-vjeçare, në bazë të së cilës të gjitha mjetet do të zëvendësohen me të reja pas 4 vjetësh”- tha kryeministri Rama.

Ai nuk ngurroi t’i japë të gjithë mbështetjen e qeverisë por kërkoi edhe zbatimin e reformës për të cilën thotë se i ra goja: sistemin elektronik të vendosjes së gjobave.

Kapërcimin në një epokë tjetër kërkon kreu i qeverisë me qëllim që të zhduken vatrat e korrupsionit që ai sheh në komisionet e heqjes së patentave.

“Që Policia e Shtetit të jetë aty ku duhet, modernizimi i vërtetë duhet të ndodhë teks njerëzit. Këtë sheh si sfidë ministri i brendshëm Sandër Lleshaj, i cili kërkon që të përsoset sistemi i arsimit, edukim dhe trajnimit të Policisë së Shtetit”.

Nga ana tjetër edhe qytetarët dhe politika duhet të rreshtohen në krah të saj dhe ju kundër siç bënë në protestën e fundit-apeloi ministri Lleshaj.

“Ato duar që u ngritën kundër Ina Nukës dhe kolegëve të saj, na tregojnë se verbëria politike e ka përherë potencialin për të sjellë dëme, jo vetëm mbi policinë, por mbi krejt shoqërinë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!