Pavarësisht apologjisë, kolosët e modës Dolçe e Gabana po paguajnë një çmim të shtrenjtë për fyerjen e kulturës kineze. Produktet e markës prestigjoze janë hequr nga dyqanet e modës në Kinë dhe nga të gjitha faqet e blerjeve online të vendit aziatik, një ndër tregjet kryesore të aksesorëve të luksit.
Gjigandët e modës Dolce e Gabana u detyruan të premten të kërkonin sërish falje për fyerjen e kulturës kineze. Pak ditë nga publikimi i spotit ku një modele kineze përpiqej të hante pica dhe spageti me shkopinj, përfaqësuesit e kompanisë prestigjoze deklaruan se ishte vetëm një gabim interpretimi. “Familjet tona na kanë mësuar të respektojmë kulturat e ndryshme në të gjithë botën, ndaj me keqardhje të madhe kërkojmë falje nëse kulturën tuaj nuk e interpretuam si duhet”, deklaroi Domeniko Dolce në një video të postuar në kanalin e firmës së modës në Youtube. Por pavarësisht apologjisë, në pamje të parë të sinqertë, kolosët e modës po paguajnë një çmim të shtrenjtë për gafën e tyre, duke rrezikuar të dalin jashtë një prej tregjeve më të mëdha të aksesorëve të luksit në botë. Spoti publicitar u konsiderua si tallje për kulturën kineze dhe u akuzua për promovim të steriotipeve të pahijshme. Yjet e shoëbiz-it në Pekin bënë thirrje për bojkotin e produkteve të Dolce e Gabana, ndërsa vetë kompania u detyrua të anulonte një shfaqje mode të planifikuar në Shangai. Por të premten shpagimi vijoi pasi produktet që mbajnë stampën D & G nuk ishin më të pranishme në faqet më të mëdha të shitjeve online në Kinë si Taobao dhe J.D.com, por edhe në platformat më të vogla si Kaola dhe Secoo. /abcnews.al