Kamionët me mallra nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina janë kthyer në kufirin e Merdarës dhe nuk kanë hyrë në Kosovë. Sipas zëdhënësit të doganës në së Kosovës, taksa e vendosur ndaj këtyre produkteve duhet paguar nga biznesmenët kosovarë që kanë bërë porosinë.
Në Kosovë po zbatohet vendimi i marrë nga qeveria për vendosjen e një takse prej 100 për qind ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Gjatë paradites së të enjtes të gjithë kamionët me mallra serbe janë kthyer prapa nga policia në Merdarë, e nuk janë lejuar që të hyjnë brenda territorit të Kosovës. Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci tha se kamionët që kanë qenë duke hyrë në terminal, pas marrjes së vendimit janë kthyer prapa. Ai ka bërë të ditur se deri më tani janë kthyer 17 maune.
Zëdhënësi i Doganës ka sqaruar edhe mënyrën se si duhet të paguhet kjo taksë. Ai tha se importuesi, në këtë rast biznesmenët nga Kosova, duhet ta paguajnë këtë taksë që është vendosur nga qeveria e Kosovës. Staliveci theksoi se vendimi po zbatohet me përpikmëri nga Doganat. Në të njëjtën kohë kryeministi Haradinaj i ka dërguar letër të gjithë ambasadorëve edhe të BE-së. Ai theksoi se Apostolovës i ka shpjeguar faktet pse u mor ky vendim dhe ku bazohet. Haradinaj sqaroi se mosrespektimi i marrëdhënieve tregtare Kosovë-Serbi, ka nisur nga kjo e fundit duke vendosur bllokadë tarifore për produktet e Kosovës.
Ndërkohë, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj tha se masa prej 100 për qind nuk do të hiqet deri në njohjen nga Serbia. I pari i ekzekutivit kërkoi qëndrueshmëri edhe nga institucionet e Kosovës, si dhe kërkoi nga bizneset vendore që të jenë korrekte dhe të mos ketë rritje çmimesh./abcnews.al