Disa të rinj në sheshin “Nënë Tereza në Tiranë janë kthyer në rrezik për veten dhe të tjerët duke dalë nga makina dhe duke u varur në dyert e saj, teksa ajo ishte ende në ecje. Për këtë veprim të rrezikshëm drejtuesi i makinës është gjobitur me 60 mijë lekë të vjetra.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në 24 orët e fundit janë arrestuar 10 persona nga të cilët 6 për drejtim të automjetit pa patentë dhe 4 të tjerët të cilët janë konstatuar duke udhëtuar në gjendje të dehur.
Janë pezulluar 44 leje drejtimi, nga të cilat 30 për shpejtësi mbi normat e lejuara (deri në 156 km/h në rrugën interurbane Elbasan-Tiranë ) dhe 14 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur (deri në 1.16 mg/l).
Ndërkohë janë gjobitur 1874 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës, konkretisht: Nga Policia Rrugore e Tiranës, janë gjobitur 189 drejtues mjetesh, për qarkullim në korsi të dedikuara për mjetet e transportit publik dhe ato të emergjencës.
“Në të gjithë vendin, si rezultat i kontrolleve intensive, nisur edhe nga fakti se në shumë raste aksidentesh janë përfshirë edhe drejtues të motoçikletave, janë evidentuar dhe ndëshkuar 190 drejtues motomjetesh, për mospërdorim të kaskës mbrojtëse.
674 drejtues mjetesh për parkime të gabuara, duke u bërë pengesë për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe të këmbësorëve.
Policia Rrugore, nisur edhe nga fakti se përgjatë fundjavës, akset rrugore në drejtim të zonave bregdetare dhe turistike kanë fluks të shtuar, apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos nxitojnë për të arritur në destinacion duke kryer parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse.
Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional”, njofton policia. m.v/abcnews.al