Rama: Do të rriten pagat e mësuesve

schedule20:21 - 21 Nëntor, 2018

schedule 20:21 - 21 Nëntor, 2018

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi rritjen e rrogave deri në 7 përqind për të gjithë mësuesit e sistemit parauniversitar për vititn 2019. Gjatë prezantimit të projekt-buxhetit për arsimin për vitin e ardhshëm Rama nënvizoi shtimin e mësuesve ndihmës, rritjen e buxhetit për transport falas dhe libra falas edhe për klasën e pestë.

Gjatë prezantimit të projekt buxhetit të arsimit për vitin 2019, kryeministri Edi Rama, lajmëroi rritjen e pagës për të gjithë mësuesit e sistemit parauniversitar.

“Nga kjo rritje do të përfitojnë pa përjashtim, 100% e të gjithë punonjësve në Arsimin Parauniversitar. Rritja e pagës do t’i kushtojë buxhetit të shtetit mbi 10 milionë dollarë, në tërësi, një rritje 7%.”

Për vitin e ardhshëm qeveria ka në plan të çojë në 940 numrin e mësuesve ndihmës, të cilët asistojnë fëmijët me nevoja të veçanta.

“Ambicia jonë është që brenda këtij mandati, ne të kemi një mësues ndihmës për çdo fëmijë me nevoja të veçanta.”

Kryeministri theksoi dhjetëfishimin e oficerëve të sigurisë në shkollat e vendit dhe rritje të buxhetit në dispozicion të transportit.

“Me buxhetin e vitit 2019 iu garantojmë 35 mijë nxënësve dhe 12 mijë mësuesve transportin.”

Sipas kreut të qeverisë, mbyllja e klasave kolektive në shkollat e vendit do të vijojë edhe gjatë vitit 2019.

“Ne po mbyllim klasa përqendrimi, që janë si kampe përqendrimi për fëmijët e vegjël, që aty nuk mësojnë, por bëhet sikur mësojnë.”

Projekt-buxheti i vitit të ardhshm parashikonte vijimin e shpërndarjes së librave falas jo më vetëm për katër vitet e para, por edhe për klasën e pestë.

“Deri në fund të mandatit do të kemi libra falas për të gjithë fëmijët, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.”

Në fjalën e tij Rama konsideroi si të rëndësishme hapjen e shkollës së drejtorëve dhe punësimin e mësuesve përmes platformës, bazuar në meritë dhe duke shmangur çdo ndikim partiak apo tjetërlloj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!