Papa Françesku kërkon impenjimin e gjithë shoqërisë dhe institucioneve shqiptare për ndaljen e emigracionit. Në audiencën e mbajtur në Vatikan dhe të organizuar nga ambasada jonë në Selinë e Shenjtë me rastin e vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut, ai vlerësoi figurën e heroit tonë kombëtar dhe bashkëjetesën fetare.
Audienca e rrallë që Papa Françesku pranoi të kishte, u organizua falë insistimit të kreut të misionit diplomatik shqiptar në Vatikan, Majlinda Dodaj. Një aktivitet përmbyllës i organizimeve në 550-vjetorin e vitit të vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.
“Ju falenderoj At i Shenjte, për dashurinë dhe respektin që edhe një herë treguat, ndaj vendit dhe Popullit Tim . Në këtë sallë janë 200 përfaqësues të popullit shqiptar, por me zemër këtu është e gjithë Shqipëria. Ju At i Shenjtë gjithnjë keni vlerësuar jetën religjioze në Shqipëri, bashkëjetesën paqësore midis feve të ndryshme. Sot , në këtë takim, pjesëmarrja e të gjithë liderëve fetarë e demonstron më së miri”, tha Dodaj.
Kardinali Shqiptar Ernerst Simoni, ndjekur nga pesë ipeshkvit katolikë, krerët e të gjitha besimeve fetare në Shqipëri, Kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi, Ministri për Diasporën Pandeli Majko, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, komuniteteti i arbëreshëve, artistët shqiptarë me famë botërore, personalitete të jetës publike ishin ata që u vendosën përballe Papa Françeskut, i cili po behej gati të mbante një fjalim historik.
Duke kujtuar Skënderbeun, Papa Françesku nënvizoi se Heroi kombëtar i shqiptarëve “mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë. Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar”. Ati i Shenjtë nuk mbeti vetëm tek e kaluara pasi ai nxiti shqiptarët për “një impenjim të të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të zhvillimit të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin”.
Ati i Shenjtë kujtoi atmosferën e respektit e të besimit të ndërsjelltë ndërmjet feve në Shqipëri – fakt, që e përmendi edhe gjatë udhëtimit të tij apostolik ne Shqipëri më 21 Shtator 2014. Gjate fjalimit te tij ai kujtoi martirët e komunizmit dhe Nënë Terezën, shenjtoren shqiptare, duke u kërkuar të gjithëve të luten për të.
Papa Françesku falenderoi edhe një herë organizatoren e kësaj ceremonie, kreun e misionit diplomatik të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë në Vatikan Majlinda Dodaj. Audienca e Papa Françeskut vijoi me shkëmbimet e disa dhuratave që shqiptaret kishin menduar të linin si kujtim të vyer.
Në sallën “Clementine” binin ne sy burra dhe gra të cilët mbanin veshur kostumet shumëngjyrëshe popullore shqiptare dhe arbëreshe e po aq vëmendjen e Papës e tërhoqën edhe fëmijët që po ashtu përfaqësonin denjësisht përmes kostumeve popullore, kulturën dhe historinë e trevave të ndryshme.
Para 50 vjetësh një në 1968-tën një grup tjetër shqiptarësh do takonin në atë kohë Papa Pali VI, i cili u shpall nga kisha shenjt vetëm pak javë më parë. Në Shqipërinë e atyre viteve rrënoheshin kisha dhe xhami dhe Papën mundën ta takonin vetëm një grup shqiptaresh të diasporës.
Por si u arrit të realizohej kjo audience e veçante e Papa Françeskut, për këtë na zbuloi me shumë detaje kreu i misionit diplomatik në Sëlinë e Shenjtë, Majlinda Dodaj
Sot në 2018 Papa Françesku shtrëngoi dorën me të gjithë shqiptaret që ishin në sallë madje duke bërë që takimi të dukej i çliruar nga çdo emocion. Si pjesë e grupit të artisteve shqiptarë që ishin në takim ishte edhe Dua Lipa, e cila sot është një nga këngëtaret më të famshme në botë duke na bërë të gjithëve krenar për këtë sukses.
“Të bashkuar në muzike në kujtim të Skënderbeut”, ky ishte titulli i koncertit që do të ngjiste në skenë emrat më të suksesshëm shqiptarë me një karrierë ndërkombëtare. Grupi i shqiptarëve pas takimit me Papa Françeskun u zhvendos në Teartrin Argentina në qendër të Romës sëbashku me ambasadorë dhe të akredituar me punë pranë Selisë së Shenjtë në Vatikan.
Koncerti u hap me fjalën e kreut të misionit diplomatik shqiptar zonjës Dodaj, e cila gjatë fjalës së saj theksin e vuri tek uniteti që Shqipëria ka demonstruar në të gjitha kohërat dhe ftoi në skenë për të përshëndetur të pranishmit Sekretarin e shtetit të Vatikanit Kardinalin, Pietro Parolin. Kardinali dha vlerësimet e tij për këtë aktivitet duke nënvizuar se muzika është elementi që i bashkon të gjithë.
Dua Lipa, Ermal Meta, Inva Mula, Olen Çezari, Ramë Lahaj, Genc Tukiçi, Kledi Kadiu, Eno Peçi, Elhaida Dani, Lorik Cana dhe Erza Muqolli, këngëtarja 8-vjeçare, aq e dashur për publikun francez emocionuan me interpretimet e tyre Live.
Një sipërmarrje aspak e lehtë të bësh bashkë të gjithë këta emra të famshëm të muzikës, por që mesa duket kur ka vullnet dhe insistim çdo gjë është e mundur.
Pas koncertit Sekretari i Shtetit të Vatikanit duke shprehur kënaqësinë dhe vlerësimet për aktivitetin në kuadër të vitit mbarëkombëtar të 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, u takua personalisht me pjesën më të madhe të pranishmeve./abcnews.al