Kosova nis luftën ekonomike me Serbinë

schedule18:12 - 21 Nëntor, 2018

schedule 18:12 - 21 Nëntor, 2018

Qeveria e Kosovës ka rritur në 100 për qind taksën e importit për produktet serbe, për t’i bërë ballë qasjes armiqësore dhe agresive të Serbisë. Në një konferencë shtypi, kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se masa hyn në fuqi menjëherë.

Qeveria e Kosovës vendosi të mërkurën rritjen ne 100 për qind të taksës për produktet e importuara nga Serbia, një ditë pasi ky vend bllokoi anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Në mbledhjen e qeverisë, ministri i Tregtisë, Endrit Shala u bëri thirrje institucioneve që të ndalojnë hyrjen në treg të produkteve që në etiketë përmbajnë termat “Metohi”, “UNMIK” dhe “Rezoluta 1244”.

 “Qeveria detyron Doganat, agjencitë e ushqimit dhe institucionet e tjera të zbatojnë masa reciproke ndaj Serbisë sa i takon dokumentave dhe certifikatave të nevojshme për tregtinë”.

Ndërkohë, kryeministri Ramush Haradinaj theksoi se ky vendim është i domosdoshëm përballë qasjes së Serbisë, që përveç se në ekonomi është armiqësore edhe në rrafshin politik, duke penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

 “Kjo është një masë legjitime e institucioneve të Kosovës, jo prej qejfit dhe tani duhet të zbatohet në 100 për qind”.

Në mbledhjen e saj, qeveria e Kosovës vendosi gjithashtu të rrisë në 100 për qind taksën e importit edhe për produktet nga Bosnja e Hercegovina./abcnews.al