Samiti i Shkupit, Rama “thumbon” Kurtin: Çohet njëri atje, s’do presim konsensus, do ta bëjmë tani

schedule10:53 - 29 Korrik, 2021

schedule 10:53 - 29 Korrik, 2021

Nga Samiti i Shkupit, i organizuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe ku pjesëmarrës ishte edhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama deklaroi se nuk do të presin konsensusin e të gjitha vendeve në rajon, duke “thumbuar” Albin Kurtin që është kundër kësaj nisme, por do ta bëjnë realitet tani. Gjithashtu, Rama ngriti pyetjen, se për çfarë mendohet Mali i Zi dhe Bosnja, ndërsa për Kosovën tha se “jam kundër qëndrimit që ka mbajtur”. Gjatë fjalës së tij, Edi Rama shpalosi sipas tij edhe arsyet se përse duhet që vendet e Ballkanit duhet të bëhen pjesë e kësaj nisme rajonale.

“Do u drejtohem në shqip sipas rregullit të vendosur dhe shpresoj që këtë herë përkthyesi të mos jetë si herën tjetër që ma shkatërroi komplet mesazhin dhe uroj që sot të jetë një ditë e mirë për të gjithë ata që kanë ardhur jo vetëm nga Shqipëria dhe Serbia, por edhe nga Mali i Zi, edhe nga Kosova, edhe nga Bosnja, edhe nga Kroacia, edhe nga Sllovenia edhe nga Greqia. Mozaiku i pjesëmarrjes është përtej tre vendeve tona, dhe besoj që është e mjaftueshme pamja e këtij mozaiku për të kuptuar vlerën dhe rëndësinë e kësaj nisme, pasi këtu janë të pranishëm njerëzit e sipërmarrjes, ata që krijojnë punë, të ardhura dhe duan të shkojnë më tutje.

Rajoni nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i së shkuarës në asnjë aspekt dhe kush nuk e kupton akoma sesa të vegjël jemi të ndarë për të rritur ekonomitë tona, për të krijuar më shumë punë, për të hapur më shumë perspektivë është i dënuar të jetojë në të shkuarën, ne nuk duam të jetojmë në të shkuarën, ne duam të projektohemi në të ardhmen përmes një nisme që nuk shpik asnjë gjë të re. Nesër si pjesë e BE-së nuk do të ketë më diskutime nëse këto 4 liri do të zbatohen në rajonin tonë dhe është sa për të ardhur keq dhe për të qeshur kur dëgjon edhe europianë që pyesin me çudi, cfarë po bëni ju?

Ne nuk mundet dot të lexojmë shifra, fakte të vëna para syve tanë, jo nga ekspertët e qeverive tona, por nga organizmat ndërkombëtarë si Banka Botërore, ku thuhet se nëse duhet të rrisim prodhimin e përgjithshëm kombëtar mund ta rrisim deri në 2.5% vetëm nga integrimi ekonomik, ndërkohë që nëse arrijmë nivelin e marrëveshjes europiane të tregtisë së lirë mund të shkojë në rritje 6.7% dhe pse duhet t’ja privojmë vetes këtë?  Nuk kemi përse të presim që integrimin e rajonit. Ne nuk mund të presim konsensus nga të gjithë për t’u takuar. Çohet njëri dhe thotë nuk duhet të takohemi apo nuk duhet të nënshkruajmë këtë apo atë” tha Rama.

Kryeministri Zoran Zaev deklaroi në Forumin rajonal Ekonomik në Shkup se nisma rajonale mes Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë përmban katër liritë e BE-së. Zaev tha se me këtë nismë synohet lehtësimi i jetës së qytetarëve dhe fuqizimi i bashkëpunimit rajonal. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç u shpreh se nuk duhet të presim nga të tjerët, referuar BE-së, por të marrim vetë fatin tonë në dorë./ Abcnews.al