Partizani luan ndeshjen e dytë të raundit të dytë të Conference League ndaj Basel ditën e nesërme. Shpresat për të kuqtë janë thuajse zero, duke pasur parasysh humbjen 3-0 të ndeshjes së parë dhe forcës së kundërshtarit.
Para kësaj ndeshje në konferencë për mediet foli trajneri i të kuqve, Ilir Daja, i cili përveç sfidës së nesërme, preku edhe çështjen e merkatos dhe planeve për të ardhmen.
“Ne duhet të jemi me këmbë në tokë, ata kanë një ekip shumë cilësor edhe me traditë që nga viti 2000, ku marrin pjesë në kompeticione europiane dhe kanë marrë pjesë edhe në grupet e Ligës së Kampionëve.
Në ndeshjen e parë, kanë bërë një hap të madh. Ne do të futemi në fushë jo të dorëzuar, por që të paktën të bëjmë më të mirën e mundshme përballë tifozëve tanë. Shpresoj që nesër të jenë sa më shumë të pranishëm në stadium që ta ndjejmë suportin e tyre, që na ka munguar prej më shumë se një viti.
Ne jemi një ekip që jemi ndërtuar këtë merkato, sepse patëm shumë largime. Ne duhet të kemi parasysh se nëse do t’i lëmë shumë hapësira Bazelit, do të na ndëshkojnë, pasi janë një ekip me shumë kualitet. Ne e dimë që nuk kemi çfarë humbasim, por dhe hapësira nuk duhet të lëmë shumë.
Ne do të futemi në fushë të ndërtojmë lojën tonë, që të jemi grup në të dy fazat e lojës. E dimë që është e vështirë, por shpresojmë që të paktën këtu të bëjmë një paraqitje sa më e mirë të jetë e mundur.
Ne punojmë në staf, do të ulemi direkt pas ndeshjes kundër Bazelit për të diskutuar strategjinë në vazhdim. Mendoj se aty do të merret vesh se çfarë rruge do të marrë pjesa e dytë e merkatos për ne”, tha trajneri i të kuqve. /abcnews.al