Provokacija/ Nano: Myslimanët e Europës duhet të mësojnë se njeriu është i lirë

schedule20:11 - 20 Nëntor, 2018

schedule 20:11 - 20 Nëntor, 2018

“Disa javë më parë, një këngëtare irlandeze me emrin Sinead O’Connor u konvertua në Islam. Sot që po flasim, ajo është myslimane. Dhe emrin e ka ndryshuar, siç bëjnë rëndom ata që konvertohen në Islam. Tani e quajnë Shuhada Davitt. Ndërsa disa ditë më parë, një këngëtar tjetër bëri të kundërtën. E la Islamin. Ishte mysliman, dhe doli e tha se nuk është më mysliman. Është fjala për këngëtarin Zayn Malik, njërin prej anëtarëve të bandës së famshme One Direction.

Kush i ka ndjekur këto dy ngjarje, nuk mund të mos ketë bërë një vëzhgim, që ka qenë shumë i kollajtë për t’u bërë. Në rastin e këngëtares irlandeze që u konvertua nga Krishtërimi në Islam askush nuk e bëri për të madhe. Askush nuk u trazua. U dha një lajm, dhe kaq. Nuk pati komente, reagime, mllefe. Asaj askush nuk i tha asgjë. Askush nuk e qortoi, askush nuk hodhi në adresë të saj sharje a fyerje. “U bë myslimane? Po mirë, për hajër i qoftë!” – ky u duk se ishte mesazhi i heshtjes, me të cilën u shoqërua ai lajm.

Ndërsa në rastin e dytë, reagimi është i tjetër lloji. Dhe të mendosh që ky rast është më i butë. Zayn Maliku nuk ndërroi fe. Nuk u bë i krishterë. Thjesht la të vetën, dhe u hodh në një lloj besimi individual. Ai vetë tha se fetarisht veten e identifikonte me një lloj besimi spiritual në Zot. Por mysliman nuk ishte më. Nuk ndihej më i tillë. “Nuk besoj më në një Zot që të mëson se çfarë mishi duhet ngrënë dhe se duhet të lutemi pesë herë në ditë. Unë thjesht besoj se ne njerëzit duhet të jemi të mirë”. Ja, këtë tha ai në thelb.

Por shumë shpejt e pa veten të rrethuar. Prej sulmeve online, u detyrua të merrte vendimin për t’u larguar nga rrjetet sociale, feisbuku e tuiteri. Sepse ata që deri në atë moment i kishte patur simpatizantë e dashamirës u tjetërsuan si me magji prej lajmit. Një pjesë u habitën, të tjerë mbetën pa fjalë, të tjerë akoma pësuan një ftohje të menjëhershme ndaj tij, ndërsa të shumtit iu shndërruan në armiq. “Turp të të vijë! Nuk ishte ti që e le Islamin, sidoqoftë. Ishte Islami që të la ty”, i shkruante dikush. “Turp, turp, turp, por dije që Ti del u humbur në këtë mes”, ia bënte një tjetër. “Ti je një dështak, të urrej”, shkruante një i tretë. “Më lëndove me këtë që bëre; nuk jam më një simpatizant i yti”, ishte mesazhi i radhës, e kështu me radhë. Të vetmit myslimanë që solidarizoheshin me të ishin ata që nuk janë më myslimanë.

Është kjo që ndodh gjithnjë në rrethana të ngjashme mes myslimanëve. Të gjithë solidarizohen kundër njërit, dhe kështu, dezertorit i duhet të përballet me idenë që i ka të gjithë kundër. Duhet guxim i jashtëzakonshëm t’u dalësh kundër të gjithëve, apo jo? Dhe nuk është vetëm kjo. Është vetë doktrina islame që dezertimin, thënë ndryshe braktisjen e Islamit, e dënon më rëndë se çdo mëkat tjetër. E dënon me vdekje që në tokë. Kështu thonë normat e Sheriatit. Ju kujtohet ngjarja me Salman Rushdie-në? Për shkak të një presioni të tillë, ai fillimisht, me të dalë dekreti fetar i Khomeinit që e dënonte me vdekje, bëri një tërheqje me anë të një deklarate. Kur kjo ndjesë nuk iu llogarit nga askush, ai bëri rikonvertimin në Islam, duke e shushatur Christopher Hitchensin që i kish dalë në mbrojtje deri në atë moment. E vetëm më pas iu desh ta linte Islamin për herë të dytë. E për fare. Dhe sot rron mes bodyguardëve. Këta të fundit i janë bërë si gjymtyrë të vetat.

Duket se ka ardhur koha që myslimanët e Europës, por edhe tanët, të mësohen me faktin se njeriu është i lirë, është i lirë të shprehet, është i lirë të organizohet në mbrojtje të të drejtave të veta, është i lirë të manifestojë identitetin e vet kombëtar, politik, kulturor, gjinor, fetar, është i lirë për të ushtruar besimin fetar që ai dëshiron, është i lirë për pasojë edhe për të zgjedhur një fe të caktuar, edhe për ta braktisur atë fe. Nuk mund të kërkosh lirinë tënde për të besuar e në të njëjtën kohë t’ia mohosh tjetrit lirinë për të mos besuar. Nuk ka kuptim kjo gjë. Përsëris: nuk ka kuptim kjo gjë.”/abcnews.al