Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkon partive politike të dorëzojnë raportet për financimin e fushatave për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Kryetari i këtij komisioni Klement Zguri tha se nëse partitë këtë detyrim e lënë për pas zgjedhjeve, atëherë standardi zgjedhor nuk do arrihet dot.
Caktimi i datës 30 Qershor 2019 nga Presidenti i Republikës si dita për zhvillimin e zgjedhjeve ka detyruar Komisonin Qendror të Zgjedhjeve t’i bëjë thirrje partive politike që të bëjnë transparencën e financimit të fushatave elektorale.
“Me dekretin e Presidentit lidhet edhe një detyrim i rëndësishëm i partive politike, detyrim i cili në të shkuarën shpesh është anashkaluar ose dhe neglizhuar, detyrimi për të bërë transparencën e plotë të financimit. Raportet financiare depozitohen pas zgjedhjeve, por dokumentimi i finacimit bëhet sot. Sot mbahen llogaritë. Sot plotësohen detyrimet ndaj ligjit”.
Nëse partitë duan të tregojnë se zgjedhjet vendore do të kenë standardet e kërkuara atëherë është koha të mos vonohen.
“Nëse partitë këtë detyrim e lenë për pas zgjedhjeve, atëherë standardi zgjedhor nuk do arrihet dot, nuk do ketë transparencë, do të ketë financim ilegal dhe, pse jo, përdorim të parave për qëllime të kundraligjshme. Ndaj unë dua t’i kujtoj sot publikisht për këtë detyrim të tyre”.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i kujton partive politike pjesëmarrëse se sfida përballohet me sukses, kur të gjithë bëhen të vetëdijshëm se zgjedhjet nuk janë çështje vetëm e institucioneve dhe nuk varen vetëm nga fati i reformës zgjedhore./abcnews.al