Hetuesit shqiptarë që merren me vrasjet në Shkodër po bashkëpunojnë me homologët e tyre malazezë. Ka dyshime të forta që ekzekutuesit mund të jenë nga Mali i Zi.
Për shtatë vrasjet e muajve të fundit në Shkodër hetimet janë shtrirë edhe në Malin e Zi. Hetuesit kanë dyshime të forta që autorët janë profesionistë dhe të paguar. Burime të besueshme thanë për ABC News, se pala shqiptare ka marre kontakte me atë malazeze, aty ku njësoj si në Shkodër ka përplasje të forta mes grupeve kriminale.
Dhe ekzekutime të kryera në Mal të Zi duken të ngjashme me ato të qytetit verior shqiptar. Në tre ekzekutime në Shkodër, autorët më pas kanë djegur automjetet. E njëjta mënyrë është aplikuar edhe në disa vrasje në Malin e Zi. Grupi hetimor, i cili është ngritur për të hetuar vrasjet e Shkodrës beson se një pjesë e krimeve janë realizuar nga vrasës profesionistë të paguar që vijnë nga vendi fqinj.
Ata janë të panjohur dhe më pak të gjurmueshëm. Ka dyshimet të forta se jo vetëm grupet kriminale në Shkodër kanë lidhje me grupet në Malin e Zi. Mbrëmjen e së hënës një pjesëtar i bandes famëkeqe malazeze Kavaçki, Veselin Kaleviç u ekzekutua në Podogoricë. Autorët më pas dogjën mjetin. Disa ditë më parë në qendër të Shkodrës u ekzekutua Fatos Ferracaku, kushëri me një tjetër të ekzekutuar me herët, Arjan Ferracakun. Në të dy këto ngjarje, autorët braktisën mjetin në flakë./abcnews.al