Dy shkëmbinj nga mali i Torovicës në Lezhë kanë rënë drejt një banese, por për fat nuk ka patur të plagosur. Shkak për shkëputjen e masivit shkëmbor janë reshjet e shiut. Gurët kanë rënë pak metra para se të përplasen me murin e banesës, që mund të shkaktonte një tragjedi.
Pesë pjesëtarët e familjes Përlleshi në Torovicë shpëtuan mrekullisht. Dy shkëmbinj nga mali ranë pranë shtëpisë së tyre. Vetëm njëri ishte afro një ton.
“Sa jam ulur me pirë kafe, është tronfditur brenda në shtëpi. Një tërmet i paparë. Ju po e shihni këtë ngjarje. Kam dalë jashtë i habitur. Nuk e dija nga të shkoja”, u shpreh Prend Përlleshi.
E zonja e shtëpisë, Valentina Përlleshi, është e terrorizuar. Ajo ka edhe një foshnje dhe kujton humbjen e tre jetëve një vit më parë pikërisht nga shkarja e shkëmbinjve. Një nga viktimat ishte mbesa e familjes së tyre.
“Kisha hallin e vjazës. Thashë se ma zuri me gjithë vajzë brenda dhe kur i pashë që dolën jashtë thashë shyqyr që më shpëtoi vajza. Jemi tmerruar se ne na ka djegur edhe vajza e dajë dhe tani veç me i shkri ato dreq gurësh që mos të na bijnë më”, u shpreh ajo.
Në familjen Perlleshi shkuan edhe përfaqësues të Bashkisë Lezhë. Administratori i Balldrenit, ku bën pjesë edhe fshati Torovicë, tha se duhet ndërhyrje e specializuar për të zgjidhur situatën dhe kjo bëhet vetëm nga Ushtria dhe Emergjencat Civile.
“Është shumë e nevojshme ndërhyrja nga institucionet e specializuara që mund të japin një rezultat në evitimin e këtyre problemeve”, u shpreh Soveljan Kosova.
Në Torovicë numri i shtëpive poshtë shkëmbinjve është i lartë. Banorët luten që gurët të mos i zënë poshtë. Fati i tre jetëve të humbura një vit më parë, i përndjek çdo natë./abcnews.al