Tirana ka zhvilluar sot në stadiumin “Selman Stermasi” miqësoren e parë të përgatitjeve për sezonin e ri dhe përballë kishte një tjetër ekip të Superiores, Egnatian. Rrogozhinasit kishin ardhur me të gjitha “armët” në këtë ndeshje. me Tiranën që kishte bërë një përzierje të ekipit dhe në fushë ishin edhe afrime si Xhixha e Limaj.
Ndeshja nisi shpejt, me një gol të Egnatias që në minutën e tretë. Ishte Bledar Lila që shfrytëzoi vendosjen e lartë të mbrojtjes së bardhebluve dhe gjeti hapësirë për të gjetur avantazhin.
Më pas Tirana u tregua më sulmuese dhe rrezikoi disa herë, kryesisht nga goditjet jashtë zonë dhe me krosime të ulëta në qendër. Por ishte sërish Egnatia, që shfrytëzoi gabimin e një prej mbrojtësve të Tiranës dhe shënoi me autor të njëjtin protagonist, Bledar Lilën.
Pas golit Tirana u zgjua dhe tregoi efikasitet. Ishte fillimisht Xhixha, i cili arriti të tundë rrjetën bukur në minutën e 43-të, duke çuar shifrat në 1-2 dhe mbyllur pjesën e parë me këtë rezultat. Goli i parë me Tiranën për Xhixhën, që e nis mbarë aventurën me bardheblutë.
Me nisjen e pjesës së dytë, Tirana gjeti edhe golin e barazimit për 2-2. Autor i rrjetës ishte një tjetër afrim i bujshëm i verës, Vesel Limaj, i cili shënoi me specialitetin e tij, penalltinë. Pas këtij goli, skuadrat, kryesisht Tirana, bënë shumë ndërrime dhe loja e uli nivelin, duke mos krijuar më rrezik konstant në porta, por mbyllur sfidën me shifrat 2-2.
Ndeshja miqësore
Tirana-Egnatia 2-2
Shënues: Xhixha 43′, Limaj 50′ (pen)/ Bledar Lila 3′, 37′

