“Alba Exotic Fruit” është kapur sërish me kokainë. Pasditen e sotme gjatë një kontrolli janë gjetur 6.5 kg kokainë të fshehur në një kontejner që vinte për llogari të kësaj kompanie. Kujtojmë se 10 ditë më parë në kontejnerët e kësaj kompanie u gjet një sasi prej 11 kg e 650 gram kokainë.
Lidhur me këtë operacion prapa hekurave është vënë administratori Bajron Gumeni, ndërsa është shpallur në kërkim pronari i kompanisë Eduart Dauti. Po ashtu në pranga ka rënë edhe një punonjës, Jurgen Osman. Sipas informacioneve, ngarkesa ishte nisur më 8 korrik nga porti i Pireut dhe ka mbërritur në Porin e Durrësit në 11 korrik. Ngarkesa me banane vinte nga Ekuadori.
Ndërkohë sipas policisë më datë 17.07.2021, në Port u konstatuan të hapur dy kapakë të njërit prej kontenierëve për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, ku dyshohet se u nxor një sasi tjetër lënde kokaine.
Lidhur me këtë fakt gazetari investigativ Artan Hoxha ka zbuluar të tjera zhvillime që kanë ndodhur. Hoxha tha se një kontejner i mbërritur po në këtë rrugë me banane është konstatuar i dëmtuar në pjesën frigoriferike. Dëmtimi është zbuluar nga kompania që merret me mbikëqyrjen.
Hoxha thekson më tej se kontejnerët hapen në port përpara se të kalojnë në skaner dhe merret sasia e lëndës narkotike. Gazetari hedh dyshimet se kjo lëndë narkotike që mund të jetë marrë nga ky kontejner është e njëjtë me 11,6 kg që u kapën dhe kjo forcon dyshimet se përse u kap një sasi aq e vogël javën e kaluar./abcnews.al/