Në kuadër të ruajtjes së sigurisë në rrugë policia ka vënë në pranga 9 shoferë dhe ka hequr 40 leje drejtimi.
Policia bën me dije se nga shoferët e arrestuar 4 për drejtim mjetin në gjendje të dehur dhe 5 të tjerë për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 1761 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore.
Njoftimi i plotë:
Respekto rregullat e qarkullimit rrugor, shpëto jetë!
24 orët e fundit: 9 shtetas në pranga, për drejtim mjetin në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi, 40 leje drejtimi të pezulluara për shpejtësi tej normave të lejuara, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo gjendje të dehur dhe 1761 masa administrative për shkelje të Kodit Rrugor, që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë dhe Sektorët e Policisë Rrugore në DVP-të, kanë intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore dhe qendrat e banuara, por edhe në akset kryesore rurale, duke përdorur dronë, radarë, kamera, aparate fotografike dhe makina të paloguara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë.
Falë rritjes së besimit të qytetarëve te Policia janë parandaluar ngjarje të mundshme rrugore me pasoja për jetën, në të gjithë vendin.
Po gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i kontrolleve dhe denoncimeve në Komisariatin Dixhital e në numrin pa pagesë 112, janë ndëshkuar me masë administrative 1761 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore, si parakalime e manovra të rrezikshme në rrugë, shpejtësi tej normave të lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosvendosje të rripit të sigurimit apo kaskës mbrojtëse, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo pa leje drejtimi.
Gjithashtu janë vënë në pranga 9 shtetas, nga këta 4 për drejtim mjetin në gjendje të dehur dhe 5 të tjerë për drejtim mjeti pa leje drejtimi, si dhe janë pezulluar 40 leje drejtimi, nga të cilat 30 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara, që varionte nga 70 km/h në qendrat e banuara deri në 161 km/h në rrugën interurbane Tiranë-Durrës, dhe 10 leje drejtimi për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.
Policia Rrugore, nisur nga fakti që gjatë fundjavës fluksi në akset rrugore drejt zonave bregdetare është i lartë, apelon për drejtuesit e mjeteve që mos të qarkullojnë me shpejtësi që cenojnë sigurinë e jetës në rrugë, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të qëndrojnë në radhë kur ka lëvizje të ngadaltë për shkak të fluksit, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri. /abcnews.al