Gjashtë anëtarë të Komisionit të Venecias kanë mbërritur sot në Tiranë, për t’u njohur me propozimet e opozitës për Vettingun në Politikë. Në vizitën dy ditore, delegacioni ka planifikuar të takohet me përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës.
Ndihmën ia kërkoi kryetari i kuvendit për ti dhënë zgjidhje asaj që opozita e konsideron vijë e kuqe, zbatimit të Vettingut për politikanët. E para që i hapi derën për ti dhënë përgjigje pyetjeve të reporterëve të Komisionit të Venecias ishte Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi,
Reporterët e Komisionit të Venecias kërkuan të dinë nëse ka një qëndrim nga ana e mazhorancës lidhur me nismën ligjore të Opozitës. Në këtë pikë, Hysi i bëri me dije delegacionit se mazhoranca ishte në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias dhe se marrja e opinionit nga Komisioni i Venecias është vendim i mbledhjes së përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe komisionit parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Sipas agjendës paraprake, delegacioni i Komisionit të Venecias u takua me përfaqësues të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, anëtarë të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut; me z.Edmond Spaho, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe me z.Petrit Vasili, kryetar i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Por në fund të takimeve mazhoranca dhe opozita treguan se edhe këtë vizitë të delegacionit të Komisionit të Venecias e shohin në dy këndvështrime të kundërta.
Edmond Spaho: “Ne parashtruam qëndrimin e Partisë Demokratike, i cili në thelb është që nuk duhet të ketë dy standarte, por ai standarti që aplikohet për prokurorët dhe gjyqtarët duhet të zbatohet dhe për politikanët, kur flasim në lidhje me botën e krimit të organizuar. Në këtë kuptim shpjeguam me fakte që asnjë reformë në Shqipëri nuk do të ketë sukses nëse nuk do të shkëputen lidhjet e politikës me krimin e organizuar.”
Ulsi Manja: “Në fakt ajo që më bëri çudi është se nuk di kujt ti besojmë, asaj që tha zoti Spaho sot, apo asaj që tha kryetari i opozitës në Berat. Sepse mu duk sikur dje nga Berati tha, unë nuk e di se pse vjen Komisioni i Venecias sepse ne nuk i kemi ftuar . ndërkohë që sot zoti Spaho dhe delegacioni i opozitës e konsideruan takimin me Komisionin e Venecias shumë frytdhënës dhe bespjmë shumë në ndihmën e tyre. Në fakt opozita vazhdon të jetë inkoherente në qëndrimet e saj, sa herë që bëhet fjalë për Komisionin e Venecias.”
Reporterët gjenden në Shqipëri për një qëndrim 2-ditor, në kuadër të vizitave për mbledhjen e të dhënave të nevojshme për përpunimin e opinionit zyrtar të Komisionit të Venecias lidhur me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 84/2017, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, nismë e deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe grupit parlamentar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim./abcnews.al

