Liverpulit në Mbretërinë e Bashkuar iu hoq statusi i Trashëgimisë Botërore, pasi një komitet i Kombeve të Bashkuara konstatoi se zhvillimet atje e kërcënojnë vlerën e qytetit.
Vendimi u mor pas një votimi të fshehtë nga komiteti i UNESCO-s në një takim në Kinë.
UNESCO – agjenci për kulturë, arsim dhe shkencë e Kombeve të Bashkuara – tha se zhvillimet e reja, përfshirë stadiumin e ri të planifikuar të klubit futbollistik Everton, kanë rezultuar me një “përkeqësim serioz” të qytetit historik.
Kryetarja e bashkisë së qytetit tha se vendimi është “i pakuptueshëm”.
“Lokacioni ynë i Trashëgimisë Botërore nuk ka qenë kurrë në gjendje më të mirë”, tha Joanne Anderson.
Ajo tha se do të bisedojë me Qeverinë britanike për të parë nëse qyteti mund ta apelojë vendimin, i cili, sipas saj, vjen “një dekadë pasi UNESCO e vizitoi për herë të fundit Liverpulin”.
Qeveria tha se është “jashtëzakonisht e zhgënjyer” dhe se beson se Liverpuli ende e meriton statusin e tij të Trashëgimisë Botërore, “marrë parasysh rolin e rëndësishëm që doket historike dhe qyteti kanë luajtur gjatë gjithë historisë”.
Liverpulit i është dhënë statusi i Trashëgimisë Botërore në vitin 2004. Ai është vendi i tretë që e humb atë, prej ku ka nisur përpilimi i listës në vitin 1978.
Shenjtërorja arabe Oryx në Oman e ka humbur në vitin 2007, ndërsa Lugina Dresden Elbe në Gjermani më 2009. /Rel