Nga Leontina Nika
Suzana Biçaku Maliqi, tashmë në moshën 87 vjeçare, ngjit shkallët e Akademisë së Shkencave, ku do të prezantohet jeta e saj e vështirë nën diktaturë, në një libër.
Buzëqeshjen dhe as fisnikërinë, nuk mundi t’ia rrëmbente regjimi i egër komunist, i cili familjen e saj e persekutoi dhe e dergji në kampe e burgje, ku babain dhe nënën ia dënuan me 13 dhe 8 vite burg .
Denis Gila, jetën e familje së kamur të Elbasanit e sjell përmes rrëfimit të zonjës Suzana Biçaku Maliqi.
Mëkati i vetëm e kësaj familje e cila u përndoq nga diktatura, ishte etja dhe dëshira për liri që në 47.
“Nëse morën demokracinë si shembull më të mirë, ky ishte mëkati. Ishte një familje tregtare, ndër më të pasurat në Shqipëri. Ndihmonin njerëzit e varfër, pra nuk ishin thjesht tregtarë , por edhe filantropë. Ndaj Suzana kishte një lloj mahnitje për të atin”, tha ai.
Megjithëse ish volejbollistes i prenë në mes çdo ëndërr ajo ia doli të jetonte më dinjitet, duke kryer punët nga më të rëndat.
“Që në klasë të katërt më përjashtuan nga shkollat e të gjithë Shqipërisë. Unë kisha dëshirë që t’i ngjaja babait edhe pse nuk do t’i ngjaj asnjëherë”, shprehet ajo.
Dy gjëra i bëjnë përshtypje autorit të librit.
“Në rrëfimin e Suzanës më kanë bërë përshtypje vetëm dy gjëra, thjeshtësia dhe mos urrejtja”, thotë më tej Gila.
Suzana e lindur në një familje patriotike, pjesë e parisë së kombit shqiptar dhe të njohur për ndjenjat e forta filantropike, që në fëmijëri i takon të kthehet në viktimë të luftës së klasave, të ndeshet me sfida të papërballueshme mbijetese. Shkaku, siç edhe zbulon kjo intervistë, ishte burgosja politikisht e dy prindërve edhe pse të papërzier me politikë, thjesht për shkak të pasurisë që zotëronin.
Historia frymëzuese e kësaj gruaje, e cila falë forcës së karakterit arriti të mbijetojë mbi rrethanat e destinuara për klasën e saj në Shqipërinë Komuniste, paraqet interes jo vetëm në aspektin historik, por sidomos për brezat e rinj./abcnews.al/

