Laçi luan nesër në orën 19:00 në “Elbasan Arena” ndeshjen e parë të raundit të dytë të Conferencë League ndaj rumunëve të Universitatea Craiova. Trajneri i kurbinasve, Shpëtim Duro foli për para kësaj ndeshje abcnews.al.
Ai qëndron me këmbë në tokë para kësaj beteje. Tekniku tregon se përmbysja ndaj malazezëve të Podgoricës në ndeshjen e parë ka krijuar një frymë shumë të mirë në skuadër.
“Ishte objektivi ynë kryesor kalimi i një turi dhe fitorja me Podgoricës, akoma më shumë përmbysja e rezultatit dhe loja e mirë që treguam, na ka çliruar nga ana psikologjike”.
Trajneri vlerëson lart kundërshtarin dhe shprehet se ata janë favoritë për të kaluar në turin e tretë. Gjithsesi, përtej vështirësisë ai ka besim se Laçi do bëjë mirë në këto përballje.
“Në raundin tjetër, skuadra e Craiova, është shumë e fortë dhe ishte pretendent kryesor për të fituar titullin kampion në Rumani. Është një skuadër me kualitete, ka elementë të ekipit kombëtar. Vështirësia e kësaj ndeshje dihet, por kam besim se do paraqitemi mirë.
Jemi mirë moralisht pas atij kualifikimi, skuadra është e plotë dhe do bëjmë maksimumin për të bërë një paraqitje pozitive. Padyshim Craiova është favoritë për kualifikimin, por në futbolli sigurisht nuk është plotësisht ashtu si mendohet.
Do luajmë këto dy ndeshje, do bëjmë maksimumin. E dimë se kemi përballë skuadër me potencial, por edhe skuadra jonë ka lojtarë të mirë që mund të bëjnë diçka në këto dy ndeshje”, përfundoi trajneri Duro. /Denis Lala-abcnews.al