A duhet të rithemelohet Partia Demokratike pas humbjes për herë të tretë të zgjedhjeve parlamentare? Deputeti Mark Marku e hodhi një ide të tillë gjatë Kuvendit Kombëtar të PD-së që u zhvillua ditën e shtunë. Por ish-ministri demokrat, deputet i zgjedhur në 25 Prill në Gjirokastër Tritan Shehu e cilëson një ide të tillë komuniste.
Shehu beson te përmirësimi dhe jo rithemelimi. Sipas tij, PD-ja nuk ka bërë asnjë turp në politikë që të ketë komplekse nga historia e vet. Në vend të rithemelimit, Shehu thotë se duhet të vazhdojë deri në fund analiza e zgjedhjeve në mënyrë që të hartohen strategji për t’u përballur me Edi Ramën për t’ia pamundësuar përfundimin e mandatit të tretë.
“Ne nuk kemi kohë e energji të tepërta të shpenzojmë me eksperimente, që normalisht i kanë realizuar partitë komuniste të lindjes mbas rënies së komunizmit, ose shumë rrallë ndonjë parti tjetër si pasojë e problemeve të mëdha të brendshme.
Ne nuk jemi aspak në ato situata, prandaj me duken si gjetje artificiale. Ne duhet të përgatitemi menjëherë për ditët që vijnë, javët që vijnë. Përballë kemi një regjim, edhe sado ndryshime të bëjmë në statut, në Këshillin Kombëtar, në seksionet, këto janë vetëm ndihmuese” tha ai te “Panorama”.
Replika vjen si kundërsulm ndaj Markut, i cili mbrëmjen e së hënës në emisionin “Log” në “ABC” nuk kurseu as Lulzim Bashën, ndërsa për Tritan Shehun u shpreh se nuk e do ndryshimin e partisë, pasi ka hallin e karriges së vet.
“Ndryshim nënkupton edhe qarkullimin e elitave. Unë nuk habitem që Tritan Shehu fliste se cfarë ndryshimi, cfarë rithemelimi, sepse ai mendon që PD të gjithë qëllimin e vetëm ka të nxjerrë në pension Tritan Shehun deputet, por ajo del vetë PD në pension.
Pra, ai e mendon PD-në si instrument, që enklediset pak, bën edhe ca punë të tjera, por është edhe deputet, normalisht nuk e duan ndryshimin, si mund ta duan ndryshimin, se nesër do i thonë shko përplasu në zonë” tha Marku duke sjellë reagimin e Shehut./ db/Abcnews.al