Telefonatat nga burgu të Gentian Dodës kanë qenë çelësi i hetimit që çoi në qeli gjyqtarin e Apelit, Shkëlqim Miri, i dyshuar për “korrupsion”. “ABC News” ka siguruar ekskluzivisht dosjen e prokurorisë, ku dalin në dritë përgjimet telefonike dhe kontaktet e gjyqtarit me kushëririn e tij Kujtim Miri, i dyshuar si ndërmjetës i rryshfetit.
Hetimi i Prokurorisë për Krimet e Rënda për aferën korruptive ku dyshohet të jetë përfshirë gjyqtari i Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri, ka nisur në 26 janar 2017. Përgjimi i një numri telefonik të përdorur në qeli nga ana e Gentian Dodës, i dënuar për një ngjarje të vitit 1997 në Burrel, ka qenë çelësi i hetimit. Përmes telefonit Doda u kërkonte personave jashtë burgut t’i siguronin një shumë prej 30 mijë euro, që dyshohet të jetë përdorur për rryshfet në Apel.
“ABC News” ka siguruar ekskluzivisht dosjen e prokurorisë, ku zbardhen përgjimet dhe detajet e historisë që çoi në qelitë e paraburgimit ish-anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në respekt profesionalizmit dhe ruajtjes së sekretit hetimor televizioni nuk do të publikojë emrat e personave të tjerë të përfshirë në hetim.
Sipas prokurorisë, shuma prej 30 mijë euro është siguruar nga ana e Alban Buçit, i shpallur në kërkim, dhe një familjari të Gentian Dodës, i identifikuar nga hetimi. Totali është siguruar nga dy shuma të veçanta prej 15 mijë euro.
Sipas dosjes, në një bisedë telefonike të datës 23 maj 2017 në orën 12:00 Gentian Doda udhëzon të afërmin e tij për sigurimin e parave. (fq8)
“Do me plotësu si do që të jetë, kur të japin ky 15 euro. Kështu që ti sa ke aty. I ke 15 euro të gatshme, apo ke 14. Sa janë.
Duhet të plotësosh 30 dhe t’i çosh diku me Albanin”
Pas mbledhjes së parave, prokuroria pretendon se ato i janë dorëzuar Kujtim Mirit, aktualisht i arrestuar, kushëri i gjyqtarit Miri në një lokal në zonën e Fushë-Krujës në 23 maj 2017. Ky veprim është regjistruar nga kamerat e sigurisë.
Pas këtij dorëzimi, Alban Buçi i ka dërguar një sms Gentian Dodës, duke i shkruar në anglisht tekstin “Çdo gjë në rregull tani, nga mesi i muajit tjetër”. Teksti përfundonte me tre emoji duarsh, që sipas prokurorisë ishte gjuhë e koduar, duke nënktuptuar që tre gjyqtarët jepnin miratimin.
Në komunikim telefoinik të datës 25 maj mes Alban Buçit dhe nënës së Gentian Dodës, Buçi i jep asaj garanci se i biri do të lirohej nga burgu.
“Rri pa merak. Ta jap unë me garanci se për dy javë e ke jashtë, sepse kam mbaruar punë unë para nja dy ditësh. Kam qenë i kam takuar unë ato. U kam dhënë ca dokumente. I kam dhënë një thes me dokumenta”.
Por cfarë e lidh në këtë hetim Kujtim Mirin me gjyqtarin, përveç marrëdhënies së tyre të farefisnisë?
Referuar dosjes, prokuroria ka vënë re komunikime të shpeshta telefonike mes Kujtim Mirit dhe gjyqtarit Shkelqim Miri, i cili ishte pjese e trupit gjykues të dosjes së Dodës në Apel. Sipas të dhënave, ditën e dorëzimit të parave, Kujtim Miri gje gjyqtari kanë komunikuar tre herë në telefon, para dhe pas veprimit në Fushë-Krujë. Ata janë pasur komunikime edhe në datat 24, 25 e 26 maj 2017, në 4 dhe 5 qershor 2017, si edhe një ditë pas shpalljes së vendimit në Apel në 8 qershor 2017.
Nërkohë, në 7 nëntor 2017 është thirrur për të dhënë shpjegime në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Pasi ka lënë ambientet e prokurorisë ai ka udhëtuar drejt Fushë-Krujës. Por në të njëjtën ditë, sipas prokurorisë, ai ka takuar gjyqtarin e akuzuar për “korrupsion”, Shkëlqim Miri. Nga të dhënat e siguruara nga “ABC News” rezulton se Kujtim Miri është takuar me gjyqtarin Shkëlqim Miri në ambientet e jashtme të një lokali në rriugën “Islam Alla”. Ajo që nuk ka ditur gjyqtari dhe i afërmi i tij ishte se takimi mes tyre është vëzhguar nga agjentët e policisë./abcnews.al
https://youtu.be/3SVJ1kAucds