Franca ka ashpërsuar masat për qytetarët nga Mbretëria e Bashkuar dhe disa vende të BE-së si Spanja, Portugalia, Qipro, Greqia dhe Holanda. Të gjithë qytetarët që do të udhëtojnë në Francë duhet të kenë një test negativ jo më pak të vjetër se 72 orë.
Masa do të hyjë në fuqi të dielën. Ky vendim erdhi si pasojë e përhapjes së variantit Delta, i cili ka rritur numrin e të infektuarve në të gjithë Europën.
Britania e Madhe regjistroi më shumë se 51,000 raste të reja në 24 orë- numri më i lartë i rasteve ditore që nga 15 Janari. Sipas autoriteteve shëndetësore, 99% e rasteve të reja janë varianti Delta, i cili u zbulua për herë të parë në Indi.
Të premten, qeveria britanike njoftoi se personat e vaksinuar plotësisht që do të rikthehen në Mbretërinë e Bashkuar nga Franca do të duhet të karantinohen 10 ditë.
Franca regjistroi 10.908 raste të reja dhe 22 viktima në 24 orë. Vendi njoftoi gjithashtu të shtunën se vendet si Tunizia, Mozambiku, Kuba dhe Indonezia ishin futur tashmë në “listën e kuqe” të vendeve me rrezik më të lartë të Covid./abcnews.al