Epidemiologu Ilir Alimehmeti, ka analizuar situatën epidemiologjike, duke risjellë në vëmendje riskun e e koronavirusit për fëmijët dhe adoleshentët.
Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, Alimehmeti rëndit studimet dhe analizat e realizuara nga “National Health System” në bashkëpunim me institucione të tjera britanike, të publikuara më 2 korrik të këtij viti, në të cilat trajtohen arsyet e vdekjeve të fëmijëve dhe adoleshentëve përgjatë 1 viti pandemi duke nisur nga 1 marsi i 2020 deri në 28 shkurt të 2021.
Në të dhënat e publikuara rezultoi se gjatë një viti në Mbretërinë e Bashkuar ndër fëmijë dhe adoleshentë kanë ndodhur:
-3.105 vdekje totale,
-61 vdekje me tampon pozitiv, por 25 vdekje të vetme ishin si rrjedhojë e COVID-19.
Duke kujtuar se në Mbretërinë e Bashkuar ka mbi 12 milionë fëmijë dhe adoleshentë: vdekshmëria nga SARS-CoV-2 rezultoi më pak se 2 ndër 1 milionë.
Ndërsa shkalla e vdekshmërisë nga infeksioni (IFR) rezulton krejtësisht e ulët.
Epidemiologu shkruan se në bazë të studimeve është arritur në përfundimin se 99.995% e fëmijëve dhe adoleshentëve i mbijetojnë SARS-COV-2 dhe se kjo shkallë vdekshmërie është krejtësisht e njëjtë me shkallën e vdekshmërisë nga gripi sezonal, e cila në këtë grupmoshë luhatet nga 0.003% – 0.009%, në varësi të viteve.
Më tej theksohet se ndër 25 vdekjet 19 kishin sëmundje të rënda, 13 kishin sëmundje të rënda neurologjike (shkaqet: sëmundje gjenetike/metabolike, ishemi cerebrale ose të lindur parakohe), dhe 8 individë me sëmundje neurologjike kishin edhe sëmundje të rënda respiratore.
Ndërsa 6 të tjerë kishin sëmundje të rënda onkologjike, hematologjike, kardiake, endokrinologjike dhe ndërlikime të lindjes para kohe.
Ndërkohë autorët kanë dalë në përfundimet se SARS-CoV-2 shumë rrallë është fatal për fëmijët dhe adoleshentët, madje edhe për ata me sëmundje bashkëshoqëruese.
-Mbijetesa është 99.995%.
-Gjetjet tona janë 60% më të ulëta se sa shifrat që vijnë nga testet pozitive, duke e ulur edhe më tej përllogaritjen e riskut të vdekjes nga pandemia për këtë grupmoshë.
-Më të riskuar ishin moshat >10 vjeç me etni aziatike ose të zezë.
Pra , NHS arrin në përfundimin se fëmijët dhe adoleshentët e kanë riskun krejt minimal dhe të krahasueshëm me gripin sezonal.
Së fundmi epidemiologu apelon: “Lërini fëmijët të lirë që të luajnë, të zbativen, të arsimohen, të rriten, siç është e drejta e tyre!”
Statusi i plotë:
Fëmijët e shëndetshëm nuk do t’i frikësohen jetës, nëse të rriturit do të kenë mjaftueshëm integritet sa të mos i frikësohen vdekjes.”
Cit.: Prof. Erik Erikson (1902-1994)
Risku i COVID-19 për fëmijët dhe adoleshtët është krejtësisht minimal miqtë e mi!
Siç ishte vërejtur që në fillim, të rinjtë dhe adoleshentët përgjithësisht e kalojnë krejt lehtë infeksionin nga SARS-CoV-2.
Tashmë këto vrojtime mbështeten nga evidencat zyrtare, si në rastin e të dhënave zyrtare të Mbretërisë së Bashkuar.
NHS (National Health System) në bashkëpunim me institucionet të tjera elitare britanike, publikoi më 8 Korrik 2021 studimin e arsyeve të vdekjeve të fëmijëve dhe adoleshentëve (<18 vjeç) përgjatë një viti pandemi (periudha 1 mars 2020 – 28 shkurt 2021).
Gjetjet e tyre janë aq mbresëlënëse saç ishin edhe të parashikueshme.
Në detaj, gjatë një viti, ndër fëmijët dhe adoleshentët në Mbretërinë e Bashkuar kanë ndodhur:
3.105 vdekje totale,
61 vdekje me tampon pozitiv, por
25 vdekje të vetme ishin si rrjedhojë e COVID-19.
Duke kujtuar se në Mbretërinë e Bashkuar ka mbi 12 milionë fëmijë dhe adoleshentë:
vdekshmëria nga SARS-CoV-2 rezultoi më pak se 2 ndër 1 milionë.
Shkalla e vdekshmërisë nga infeksioni (IFR) rezulton krejtësisht e ulët:
469.982 fëmijë dhe adoleshentë kanë qenë të infektuar në këtë periudhë, si rrjedhojë
IFR = 25 / 469.982 = <0.005%.
Pra, 99.995% E FËMIJËVE DHE ADOLESHENTËVE I MBIJETOJNË SARS-COV-2.
Kjo shkallë vdekshmërie është krejtësisht e njëjtë me shkallën e vdekshmërisë nga gripi sezonal, e cila në këtë grupmoshë luhatet nga 0.003% – 0.009%, në varësi të viteve.
Autorët thellohen më tej dhe bëjnë të ditur, se ndër 25 vdekjet:
19 kishin sëmundje të rënda,
13 kishin sëmundje të rënda neurologjike (shkaqet: sëmundje gjenetike/metabolike, ishemi cerebrale ose të lindur parakohe), dhe
8 individë me sëmundje neurologjike kishin edhe sëmundje të rënda respiratore,
6 të tjerë kishin sëmundje të rënda onkologjike, hematologjike, kardiake, endokrinologjike dhe ndërlikime të lindjes parakohe.
Ndër 25 vdekjet,
6 (24%) ndodhën në individë pa sëmundje, që është e njëjtë me
729 vdekje që ndodhën te fëmijët pa COVID-19 (729 / 3080 = 24%).
Fatmirësisht asnjë vdekje nuk ndodhi në:
persona vetëm me sëmundje respiratore (përfshirë astmën),
persona me diabet tip 1,
persona me trizomi 21 (sindromë Doën), apo
persona vetëm me epilepsi.
Autorët dalin në përfundimet e qarta:
SARS-CoV-2 shumë rrallë është fatal për fëmijët dhe adoleshentët, madje edhe për ata me sëmundje bashkëshoqëruese.
Mbijetesa është 99.995%.
Gjetjet tona janë 60% më të ulëta se sa shifrat që vijnë nga testet pozitive, duke e ulur edhe më tej përllogaritjen e riskut të vdekjes nga pandemia për këtë grupmoshë.
Më të riskuar ishin moshat >10 vjeç me etni aziatike ose të zezë.
Këto gjetje janë të rëndësishme për udhëheqjen e familjeve, klinicistëve dhe politikëbërësve mbi strategjitë e ardhshme të mbrojtjes dhe vaksinimit.
Shkurt, bukur, qartë:
NHS na thekson qartë se fëmijët dhe adoleshentët e kanë riskun krejt minimal dhe të krahasueshëm me gripin sezonal.
Pra, miqtë e mi:
Lërini fëmijët të lirë që të luajnë, të zbativen, të arsimohen, të rriten, siç është e drejta e tyre!
Dr. Shk. Ilir Alimehmeti
Epidemiolog Klinik
Fakulteti i Mjekësisë, UMT
Akademia e Shkencave të Shqipërisë/abcnews.al/