Kombëtarja shqiptare ka sot në përbërje edhe ish-kapitenin e Kosovës U21, Ardian Ismajli. Mbrojtësi thotë se ka bërë zgjedhjen e duhur, por shpreson që një ditë kombi të ketë vetëm një kombëtare
Kjo fanelë ishte zgjedhja që bëri. Ardian Ismajli është sot lojtar i Kombëtares së Shqipërisë, ndërsa fare mirë mund të kishte qenë i Kosovës.
Ish-kapiteni i ekipit përfaqësues U21 të Kosovës, vendosi të refuzonte ftesën e trajnerit zviceran Shaland, dhe të pranonte atë të teknikut të Shqipërisë, Panuçi.
Ismajli, 22-vjeçar, ka folur për mediat kroate për zgjedhjen e tij, ndërsa luan për Hajdukun e Splitit, si mbrojtës në formacion.
“Ne jemi një komb, – janë fjalët e tij për median “24orë”, – shpresoj që shpejt të jemi edhe një shtet, por për momentin kemi dy përfaqësuese, dhe Shqipëria më ofroi kushte më të mira për të ecur përpara. Ky ka qenë motivi kryesor, i mbështetur edhe nga familja”.
Kombëtarja shqiptare duhet t’ia dijë për nder edhe trajnerit të ri të Hajdukut, ish-lojtarit të shquar, Zoran Vuliç, që e ktheu Ismajlin në formacion me të marrë detyrën.
Me ish-trajnerin Kopiç, mbrojtësi thuajse nuk luante fare, ndërsa me Vuliçin është bërë ndër lojtarët më të rëndësishëm.
Ismajli tregon për median kroate se ftesa nga Panuçi është më e hershme, por ai deshi të përfundonte eleminatoret e Europiait me Kosovën U21 përpara sesa të kalonte tek Shqipëria.
Gjithsesi, zgjedhja e tij, nuk ka kaluar pa polemika, ndonëse presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Ademi, nuk e kritikon.
“Është dëshirë e lojtarëve të shohin perspektivë më të mirë tek Shqipëria, – u shpreh presidenti i Federatës, Ademi, – ndoshta panë konkurencë te Kosova. Na vjen keq, që nuk i kemi mes nesh, por ata janë djem të mirë dhe i urojmë suksese”.
Kritika sidoqoftë ka pasur nga trajnerë apo media në Kosovë, të cilët do të kishin dashur që Ismajli të kishte luajtur për ekipin e shtetit të tyre. /abcnews.al