Përplasja Rama-Meta, Sokol Hazizaj: Konflikt i stisur

schedule21:09 - 13 Nëntor, 2018

schedule 21:09 - 13 Nëntor, 2018

Avokati i njohur, Sokol Hazizaj, ishte i ftuar këtë të martë në emisionin “Mbrëmje Ide” nga Mirela Milori. Sipas tij, përplasja mes Ramës dhe Metës për Sandër Lleshajn është konflikt i stisur.

Hazizaj tha në ABC News se pas këtij konflikti mes Presidencës dhe Kryeministrisë mbi tavolinë janë të gjitha opsionet e përfitimit ekonomik dhe politik.

Mirela Milori: “Hyn dhe një letër e tretë në mes që është e kryeministrit të vendit. ‘Ju mund ta çdekretoni Sandër Lleshajn si Gjeneral aktiv bazuar në kërkesën e tij drejtuar jush dhe pastaj ta dekretoni ministër të Brendshëm bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë’. Ka të drejtë, Presidenti të çdekretojë Gjeneralë kështu”?

Sokol Hazizaj: “Kjo tregon që konflikti midis Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit, për më tepër kur ka nonsense të karakterit konceptual nga ana e Kryeministrit të vendit, ashtu siç ka dhe moskuptime nocionesh dhe detyrash nga Presidenti i Republikës, kur ka bërë atë kërkesë para Kryeministrit kjo tregon që konflikti mes Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit të Shqipërisë përsa i përket shkarkimit dhe emërimit të ministrit të Brendshëm është për opinionin tim  një konflikt i stisur. Ai nuk ka për mendimin tim përmbajtje të karakterit ligjor dhe kushtetues. Gjërat janë të qarta, o emëron ose nuk emëron. Kur është emëruar Kushtetuta në vitin 1998 në momentin kur një dispozitë është bërë e qartë haptazi, e cila nuk të lejon mundësi ta interpretosh në forma të ndryshme ka provokuar kompromis midis institucioneve dhe janë detyruar të gjitha organet t’i referohen institucionit të Presidencës, i cili është i pari dhe i fundit që del para publikut dhe thotë, ky është ministri dhe ky i larguari”.

Mirela Milori: “Në këtë rast që propozon Rama dhe firmos Meta, në rastin që Meta nuk do të firmos duhet Kuvendi të thërrasë Metën”?

Sokol Hazizaj: “Jo, kryeministri i vendit në momentin që nuk i propozohet kandidatura, i çon një kandidaturë tjetër ose të njëjtën kandidaturë me arsyetimin që ai mendon”.

Mirela Milori: “Dhe në rastin që Meta prapë nuk e dekreton”?

Sokol Hazizaj: “Unë mendoj që Presidenti kërkon një konsensus tjetër. Fakti që Presidenti lëvizi me dy institucione, pasojë e mospranimit të propozimit të kryeministrit, lëvizi me KED-në, lëvizi dhe me SHISH-in. Si duket ka dhe një emërim tjetër. Domethënë pas zonjës e cila është propozuar për Kontrollin e lartë të Shtetit, e cila për mua nuk do kalojë në Kuvend sepse shenjat janë dhënë. Dikush qëndron, pra propozimi rezervë i Presidentit”.

Mirela Milori: “Pra loja e shahut ju mendoni po bëhet për KLSH-në”?

Sokol Hazizaj: “Për KLSH-në. Ajo që u zgjidh me SHISH-in, mund të ketë edhe diçka tjetër që ne nuk e dimë. Për shembull mund të lozet me koncesionin midis Durrës-Tiranë. Domethënë të gjitha opsionet e përfitimeve ekonomike dhe politike janë mbi tryezë”.

Avokati tha gjithashtu se kur ka qenë fjala për akte administrative të karakterit nominal ka patur gjithmonë konflikt mes Presidencës dhe Kryeministrisë.

“Unë mendoj që dispozita respektive e cila flet për propozimin, emërimin dhe vendimmarrjen ka nevojë për interpretim më të gjërë në të gjithë kuptimin literal dhe shpjegimin që duhet të ketë kjo dispozitë. Kjo nuk mund të jetë dhe nuk është hera e parë që ka konflikte të karakterit politik, midis kryeministrit dhe Presidentit të Republikës, kur bëhet fjalë për akte administrative të karakterit nominal. Ne jemi mësuar të dëgjojmë që tre faktorët institucionalë që është Kuvendi, Presidenti, dhe Kryeministri të ndeshen kur bëhet fjalë për emra. Ajo që duhet pranuar është që kjo dispozitë kushtetuese e ka fare të qartë gjënë që emërimi dhe shkarkimi bëhet nga Presidenti i Republikës”, u shpreh Hazizaj.

Kushtetuta nuk e ndalon Kryeministrin ta ripropozojë sërish emrin e Sandër Lleshajt te Presidenti sipas Hazizajt.

“Kushtetuta nuk ndalon asnjëherë të drejtën e propozimit të kryeministrit qoftë edhe për një person, dy apo katër herë për t’u propozuar në cilësinë e ministrit”, tha avokati./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!