Sektori i bujqësisë do të marrë gjatë vitit 2019, mbështetjen financiare më të madhe në historinë e 8 qeverive të fundit. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me fermerë dhe përfaqësues të këtij sektori në Ibë të Tiranës, ku u prezantua buxheti i vitit 2019.
Në Buxhetin për Bujqësinë u fol për shumë herë të para.
“Vitin që vjen ne do të kemi një buxhet në mbështetje të bujqësisë, që është më shumë sesa të gjitha vitet e qeverisë së mëparshme të marra së bashku, të teta dhe çelim një program të ri mbështetje financiare të BE për fshatin, që i bashkohet programit të mbështetjes së qeverisë shqiptare, që në vetvete është për të dytin vit radhazi, një program që i kalon 20 milionë euro, diçka që as mund të mendohej dot më parë”.
Me krenari tregon kryeministri se eksportet i kanë dyfishuar që nga dita që janë ulur në karriget e qeverisë.
“Kur ne e filluam punën, pasi morëm detyrën për të qeverisur Shqipërinë, kjo shifër ishte 150 milionë dollarë.”
Burokracitë janë zeruar, e po zero dokumenta kërkohen për të aplikuar në skemat mbështetëse te bujqësisë. Ky sektor ka marrë të gjithë vëmendjen e qeverisë në të gjitha drejtimet tha kryeministri Edi Rama duke i kujtuar se nuk e ka harruar premtimin për zerimin e TVSH-së mbi imputet bujqësore.
“Për momentin jemi në pikën, ku kemi një nivel të arsyeshëm dakordësie për të shkuar në 6 me 6. Pra, për ta ulur nga 20% në 6% TVSH-në e imputeve bujqësore dhe për të ulur po ashtu rimbursimin për grumbulluesit, pasi kanë demonstruar një shkallë jo të vogël mungese, si të thuash, respekti për skemën, duke mos e ndarë suksesin e skemës me fermerët”.
E sa për sigurinë ushqimore kryeministri shprehet mëse i bindur se konsumojmë e tregëtojmë ushqime shumë më të garantuara se para kohës që qeverisnin Shqipërinë./abcnews.al