Fitore surprizë e kandidates demokrate në Arizonë

schedule14:40 - 13 Nëntor, 2018

schedule 14:40 - 13 Nëntor, 2018

Demokratët ngushtojnë diferencën në Senat me Republikanët. Partia opozitare ka fituar në mënyrë surprizë shtetin e Arizonës. Ndërkohë, kandidatja fituese nga radhët e demokratëve është dhe gruaja e parë biseksuale që hyn në Senat.

Kandidatja demokrate, Kyrsten Sinema ka fituar garën për Senatin federal të Shteteve të Bashkuara për Arizonën, duke mundur republikanen Martha McSally dhe duke u bërë kështu senatorja e parë grua e Arizonës që prej vitit 1994. Sinema është dhe kandidatja e parë në Senat që e ka pranuar në mënyrë të hapur se është biseksuale, ndërsa rivalja republikane McSallu, të cilën e ka mposhtur është gruaja e parë e ushtrisë së SHBA-ve që ka pilotuar një avion luftarak. Në fillim të numrimit të votave, fitorja dukej e sigurtë për republikanen, por të enjten në mbrëmje ndodhi parakalimi i Sinemas. Kjo fitore e demokratëve e bën më pak të plotë, nga sa ishte raportuar më herët, maxhorancën e partisë së Donald Trump në Senatin e ri që do të fillojë punën në janar: në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të gjysëm mandatit, republikanët zotërojnë 51 senatorë kundër 47 të demokratëve. Ndërkohë, dy sfida të tjera për senatin mbeten të pazgjidhura: ajo e Misisipit, ku me 27 nëntor do të shkohet në balotazh; dhe ajo në Florida, ku përballen ish guvernatori Rick Scott dhe senatori në largim demokrat Bill Nelson. Për këtë sfidë është i nevojshëm rinumërimi i votave. Megjithatë republikanët dhe presidenti Trump janë shprehur kundër këtij zhvillimi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!