Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha të enjten se në vjeshtë mund të pritet një valë të re infektimesh me COVID-19.
Ai i bëri këto komente në qendrën e vaksinimit në Prishtinë, ndërsa mori dozën e parë të vaksinës.
“Vjeshta duhet të na gjejë me sa më shumë qytetarë të vaksinuar…është e vetmja mënyrë që edhe nëse paraqitet një valë e re deri në vjeshtë, e që sipas ekspertëve është thuajse e pashmangshme, vetëm të vaksinuar ruajmë shëndetin e njëri tjetrin, shëndetin ekonomik social dhe mirëqenien tonë”, tha ai.
Shqetësimi kryesor për autoritetet shëndetësore, sipas ministrit t Vitia, aktualisht është varianti Delta, dy rastet e para të të cilit u konfirmuan në fund të muajit të kaluar në Kosovë.
Varianti Delta u paraqit për herë të parë në Indi në dhjetor të vitit 2020, ndërsa sot është njëri prej llojeve më brengosëse për shkak të shpejtësisë së përhapjes së tij.
“Sa i përket rishikimit të masave, është shtyrë për pak kohë për shkak të paraqitjes së variantit Delta, meqë ky është një shqetësim i yni kur dihet se ka shumë vende si Anglia, në të cilat pavarësisht se procesi i vaksinimit ka ecur shumë mirë, dominon varianti Delta. Por, e përsëris të gjithë të vaksinuarit janë me simptome të lehta dhe i janë shmangur hospitalizmit. Masat do të rishikohen gjatë kësaj jave dhe qytetarët do të njoftohen me kohë”, tha ai.
Zoti Vitia tha se në Kosovë deri tash janë dhënë rreth 240 mijë doza të vaksinës, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen.
Kosova deri tash ka zhvilluar fushatën e vaksinimit përmes donacioneve të siguruara nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që shpërndan vaksina për vendet e varfra, apo nga Bashkimi Evropian.
Fundjavën e kaluar Kosova mori gati 183 mijë doza të vaksinës Astra Zeneca donacion nga Mbretëria e Norvegjisë. Në një debat parlamentar të mërkurën, përfaqësues nga opozita u bënë thirrje qytetarëve të kontrollojnë afatin e skadencës së vaksinës, duke lënë të nënkuptohet se ky kontingjent është me afat të skaduar. Por, ministri Vitia e mohoi të enjten sërish një gjë të tillë, duke qartësuar se 12 mijë doza nga ky kontingjent kanë afat deri më 31 korrik, ndërsa pjesa tjetër deri më 31 gusht.
Ai vet mori sot vaksinën AstraZeneca, për të dërguar mesazhin se sic tha, të gjitha vaksinat që ka Kosova aktualisht janë të sigurta.
Qeveria e Kosovës është zotuar që deri në fund të këtij viti, të vaksinojë 60 për qind të popullsisë./VOA

