Daja: Mbrojtja problemi ynë, për “Bubën” nuk flas! Rivalët ekip me ekuilibër

schedule20:31 - 7 Korrik, 2021

schedule 20:31 - 7 Korrik, 2021

Partizani është gati për duelin e parë në Conference League. “Demat” presin nesër në “Elbasan Arena” (20:00) moldavët e Sf.Gheorghe. Trajneri Ilir Daja prek disa tema në konferencën për shtypin, aty ku ndalet te ekipi i tij, ndryshimet e ndodhura në merkato dhe kundërshtari.

KUNDËRSHTARI – “Sigurisht që është një material plus dhe i rëndësishëm, kështu që gjej rastin të falënderoj videoanalistin e kombëtares për ndihmën që na ka dhënë. Mendojmë se është një ekip që ka një ekuilibër goxha të mirë në fushën e lojës. Ndoshta nuk ka kualitetet që bëjnë diferencën, por ajo që është më e rëndësishme është fakti që luajnë të 11-të grup, në të dyja fazat e lojës”.

SITUATA – “Natyrshëm që nuk pretendojmë të jemi të plotë, pasi nga formacioni i vjetshëm është kapiteni Albani (Hoxha), Belica dhe Bardhi, të cilët kanë qenë titullarë. Jemi përforcuar me disa blerje që i janë afruar grupit jo më shumë se 15-20 ditë.

Ka një mangësi, pasi futbollistët pas mbarimit të kampionatit nuk kujdesen për kondicionin fizik. Fillojnë pas tre javësh pushim dhe është problem më vete. Normalisht kjo nuk do të thotë që nesër të futemi në fushë me idenë se jemi të justifikuar. Të gjitha këto na bëjnë që në manovër të përdorim një formë tjetër që të jemi rezultativ”.

PARTIZANI – “Po t’i referohemi mbrojtjes, ka mbetur vetëm Belica. Të tria afrimet nuk kanë qenë me grupin vjet. Gligorov është afruar vetëm para një jave dhe ky është reparti që kemi më shumë probleme. Gjithsesi mendoj se edhe në repartet e tjera do ishte më mirë të kishim edhe dublime, që të bëjmë zëvendësime në kohën e duhur dhe lojtarët të luajnë në pozicione natyrale.

Gjithsesi është një ekip që do luftojë dhe do përfaqësojë Partizanin në sezonin e ardhshëm. Do përforcohemi edhe në vazhdimësi. Pastaj kemi disa lojtarë nën 21 vjeç, lojtarë me perspektivë që mendoj se shumë shpejt ndonjë mund të luajë në formacion”.

 

Partizani duke festuar një gol

STRATEGJIA – “Nuk mund të jap shumë elementë për strategjinë, pasi do jetë sekreti ynë për ndeshjen. Nuk do nisemi vetëm nga informacioni që kemi marrë përmes videove. Do gjykojmë kundërshtarin edhe gjatë ndeshjes, për të bërë të mundur që të kemi më shumë ekuilibër në lojë. Është me sistem eliminimi dhe nuk lejohet të gabohet, qoftë në ndeshjen e parë, qoftë në ndeshjen e dytë”.

SHORTI – “Në short, Partizani duhet ta luante jashtë ndeshjen e parë dhe të dytën në Elbasan. Ka një bonus për ekipin kundërshtar, nëse ndeshja shkon në shtesë, referuar faktit që goli në fushë kundërshtare nuk vlen si më parë, ka më shumë minuta në fushën e vet, ku do ketë mbështetjen e tifozëve. Me shortin që u hodh do e kishim ne atë favor. Gjithsesi do mundohemi, që pavarësisht se e dimë që kualifikimi vendoset në ndeshjen e dytë, të bëjmë sa më mirë të jetë e mundur në këtë ndeshje”.

PRESIONI – “Të jesh trajneri i Partizanit gjithmonë je në presion. Sigurisht që në presion për rezultate, jo presion tjetër. Jam trajner që kam qenë në ekipe që kanë pasur presion. Këtë presion duhet t’ua heqim lojtarëve, pasi 4-5 prej tyre luajnë ndeshjen e tyre të parë dhe kanë presion të shtuar. Do mundohemi të fokusohemi te veprimet e ndeshjes, që ta ulim presionin në prezantim në Conference League”.

 

Ultras Guerrils

TIFOZËT – “Na ka munguar prania e shumtë e tifozëve. Kanë qenë edhe vjet në mbështetje, pasi edhe vjet e kanë gjetur mënyrën e tyre t’i qëndrojnë ekipit afër. Ata janë lojtari i 12-të i Partizanit, pasi dihet që janë të shumtë jo vetëm në Tiranë, por në gjithë Shqipërinë. Është një suport i madh për ne. Nesër duhet të gëzojnë dhe vuajnë bashke me ne, gjatë 90 minutave”.

HASANI – “Kur ndërpret një lojtar kontratën me një klub nuk kemi dëgjuar gjë tjetër veçse e ka fajin trajneri i parë. Në fund fare për këtë marrëdhënie është në klub, çdo lojtar, pra për marrëdhënien tekniko-taktike, për të përfaqësuar klubin. Uroj që të ketë suksese në vazhdimësi. Një ditë para ndeshjes jam i përqendruar te grupi aktual, nuk shoh mbrapa.

Këtë e vërtetuam edhe vjet, kur pamë përpara edhe pse kishim merkaton e bllokuar. Bashke me ekipin ishin pretendentë për të fituar titullin kampion deri në javën e fundit“, përfundoi trajneri i ekipit kryeqytetas. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!