Ngjarja e rëndë e ndodhur në Velipojë në 4 Korrik ku katër anëtarë të një familje u plagosën si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi ka vënë sërish në lëvizje autoritetet.
Policia ka arrestuar 46-vjeçarin Petrit Mlloja pasi ushtronte pa licencë aktivitetin tregtar të shitjes së gazit.
Lexo edhe: Shpërthen bombola në Velipojë, katër anëtarët e familjes në gjendje të rënë, policia jep detaje
Sipas policisë është konstatuar se gazi që përdorej në hotelin ku edhe ndodhi ngjarja, tregtohej në kundërshtim me ligjin nga 46-vjeçari, të cilit një ditë pas ngjarjes iu bllokua aktiviteti në ISHTI.
Por uniformat blu bëjnë me dije se Petrit Mlloja banues në Shkodër ka shkelur masën e bllokimit të aktivitetit duke vazhduar tregtimin pa licencë të gazit të lëngshëm dhe të naftës, jashtë kushteve tekniko-ligjore.
Lexo edhe: Shpërthimi i bombolës në Velipojë, 4 anëtarët e familjes Gjoka dërgohen në Itali
Ndërkohë materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme
Në hotel në momentin kur ndodhi shpërthimi nuk ka pasur pushues, por kanë qenë vetëm anëtarët e familjes Gjoka, kryefamiljarja Alketa dhe fëmijët Klarisa 15 vjeçe, Danjela 19 vjeçe dhe Enriku 12 vjeç.
Nëna e Alketa Gjokës, më herët tregoi për “ABC” se vajza e saj ishte duke bërë kafen, por kur ka ndezur shkrepësen flaka është përhapur deri në shtratin e fëmijëve.
Ndërsa si pasojë e plagëve të marra të katër anëtarët e familjes Gjoka u dërguan në Itali për të marrë mjekim më të specializuar./abcnews.al/