Prishtina bëri gjithçka mirë për 71 minuta ndaj Ferencvarosi në raundin e parë eliminator të Champions League, por më pas brenda 6 minutave pësoi 3 gola nga ekipi i Uzunit.
Pas ndeshjes për mediet foli Zekirija Ramadani, trajneri i Prishtinës. Ai u shpreh se mungesa e eksperiencës ishte shkaku i kësaj humbje.
“Për 2/3-at e ndeshjes luajtëm mjaft mirë, pastaj gjithçka u hodh në ujë për 10 minuta. Mendoj se për 70 minuta ishim të barabartë me ekipin kundërshtar, kishim ide të qarta për çfarë kishim udhëtuar.
Por ne nuk e kemi eksperiencën, është hera e parë që garojmë në këtë kompeticion dhe kjo është arsyeja kryesore e kësaj humbje. Të jem realist, mendoj se pak kemi gjasa në ndeshjen e kthimit, por ne do të japim gjithçka nga vetja”, tha Ramadani. /abcnews.al