Këto ditë Kryeministri Edi Rama ka vendosur të udhëtojë nga veri në jug duke u përqendruar tek fëmijët. Në Sarandë inspektoi maternitetin e ri ku vijën në jetë foshnjat ndërsa në Postribë të Shkodrës premtoi ndërtimin e një shtëpie të re për fëmijët që janë me nota të shkëlqyera në shkollë edhe pse jetojnë në një familje të varfër.
Ka vetëm dy orë që ka ardhur në jetë dhe kjo vajzë do ta mësojë pas disa vitesh se ka lindur në një maternitet të ri në Sarandë që sic ndodh rëndom inspektohet nga kryeministri pasi përfundon.
Investimi 336 milionë lekë është bërë jo vetëm për foshnjat e Sarandës, por edhe Konispolit, Delvinës e Finiqit.
“Kemi investuar në spitalin bashkiak të Sarandës, në maternitetin e ri të qytetit. Dikur ka qënë në një zonë në qendër të Sarandës, por komplet i degraduar, sot ne një ndërtim të ri, investim i buxhetit të shtetit i nisur në vitin 2017, në vlerën 336 milionë lekë, bashkë me pajisjet. Ndërkohë jemi duke mobiluar patologjinë dhe kirurgjinë, pra, është një tjetër investim së bashku me maternitetin, kështu që përfundojmë të gjithë korpusin e spitalit të Sarandës.”
Duke e cilësuar maternitetin e ri një model shërbimi, ministrja Manastirliu tha se me buxhetin e vitit 2019 do të investohet edhe në maternitetet e qyteteve të tjera.
“Në buxhetin e vitit 2019 kemi planifikuar fillimin e rikonstruksionit dhe ndërtimit të ri të maternitetit të Beratit, të Lezhës dhe do të përfundojmë gjithashtu dhe projektet për dy maternitete e tjera, siç është materniteti i Pogradecit dhe materniteti i Kukësit, faza e parë e të cilit tashmë ka filluar,”
Jo vetëm ambiente të reja por mbështetje fo të kenë edhe stafet mjekësore tha kryeministri Rama.
“Në janar kemi daljen e 300 specialistëve të parë, se ishte 4 vjet vakum, pasi nuk u bënë specializime dhe do kemi menjëherë mbushjen e vakumit të krijuar në vite. Do keni rritje tjetër rrogash për infermieret, mjekët dhe gjithë personeli. Besoj që krahasuar me nga u nisem, jemi përpara, krahasuar me ku duam të shkojmë, kemi shumë akoma. Por e dini ju, fëmijët rriten ngadalë, nuk rriten menjëherë.”
Fëmijët e detyruan që të udhëtojë edhe drejt Shkodrës kryeministrin Edi Rama.
Por nuk e ka zgjedhur rastësisht të vizitojë këtë familje të varfër prej 9 anëtarësh në fshatin Postribë. Errësira nuk i ka penguar fëmijët që të shkëlqejnë në shkollë.
“Këto janë dhurata më e madhe që i bëni mamit dhe babit dhe investimi më i madh për veten tuaj. Do bëjmë diçka patjetër! Do e zgjidhim këtë sepse ti, vëllai, motrat, që jeni nxënës të shkëlqyer nuk thoni, nuk kam këtë, nuk kam atë, s’kemi ku mësojmë, s’kemi ku flemë, s’kemi çfarë hamë, s’kemi, s’kemi, s’kemi, kështu që s’po bëjmë asgjë, siç bëjnë ata që kanë edhe që llastohen gjithë ditën dhe që rrinë nëpër kafe me lekët e mamit dhe të babit dhe merren me “Facebook” dhe duan vetëm rrogë në shtet, se nuk shkojnë as të punojnë siç punon Vullneti”.
Vajza më e madhe e familjes Shabaj, është e para e klasës, edhe pse i duhet plot 1 orë për të shkuar në shkollë
“Jam në klasë të 10-të. Shkoj në shkollë në këmbë. Është 1 orë larg dhe nëpër shi është shumë e vështirë”.
Qëllimi se pse Kryeministri i kishte vizituar është ndërtimi i një shtëpie të re por edhe të një pune për kryefamiljarin.
“Do bëjmë një shtëpi sic duhet dhe do ta bëjmë shpejt. Do t’ju çojmë me qira diku. Do ta prishim këtë, se kjo nuk riparohet. Është pak ngushtë koha, se mirë do ishte me e kap për vit të ri. Do të gjejmë një mundësi punësimi konstant dhe të bëjmë shtëpinë e re”. /abcnews.al