Pedagogia Jonila Godole ishte e ftuar në “Provokacija” këtë të premte në ABC News. Ajo foli rreth dekomunizimit që duhet të ndodhë në Shqipëri. Sipas saj duhet të ketë një ballafaqim me të shkuarën në mënyrë që ne si shqiptarë të respektojmë veten.
“Unë do thosha që jam pro ballafaqimit që ne kemi dhe duhet të kemi si shoqëri me të shkuarën. Për këtë jam shumë e prerë që ballafaqimi duhet të jetë i detyrueshëm nëse ne duam të vazhdojmë përpara dhe të jemi një shoqëri që të na respektojnë të tjerët, duhet të respektojmë veten dhe veten e respektojmë kur e shikojmë në sy veten tonë kush jemi, nga kemi ardhur, çfarë kemi bërë dhe të mbajmë përgjegjësi për ato që kemi bërë dhe që s’kanë qenë shumë të mira. Kjo është. Për të pasur një identitet, që e ka gjermani, francezi, italiani. Ne nuk kemi asnjë identitet. Pra jemi njerëz që i kalojmë ato etapat historike siç i kalojmë. S’mbajmë përgjegjësi se çfarë ndodh. Gjithmonë kërkojmë t’ia hedhim fajin të tjerëve. Kjo për mua është shumë e rëndësishme dhe jam shumë këmbëngulëse që ne duhet të flasim për të shkuarën më të largët, por edhe atë më të afërt, po themi komunizmin, por edhe deri në ’97-n, edhe fillimi i ’90-s ka qenë shumë problematik”, tha Godole.
Askush nuk do të futet në skuatat e errëta të historisë tha Godole, por përsa i përket disa kombeve të tjera, ato e kanë bërë ballafaqimin me të shkuarën sipas saj. Më pas ndryshimi ka ardhur duke ndryshuar kurrikula, ligje, apo duke vendosur dhe përmendore.
“Jemi të detyruar që ta bëjmë, sepse ka viktima. Pra çdo gjë që kemi bërë dhe që bëjmë ka pasoja. Dhe këto pasoja sjellin viktima. Dhe këta viktima janë aty dhe ne duhet të përballemi me ata”, u shpreh pedagogia.
“Ne pa bërë një proces të dekomunizimit, ku futet ndryshimi i simbolikave të caktuara, rrugëve, ndryshimi i emrave të shkollave. Ne çojmë fëmijët në shkolla, ku ata nuk e kanë idenë ku shkojnë, ku po të gërmosh gjen që ata kanë qenë kriminelë dhe ti po çon fëmijën të studiojë të ajo shkollë”, tha Godole.
E pyetur nga moderatori Mustafa Nana, Godole tha se në Shqipëri ka akoma enveristë.
Mustafa Nano: Ti mendon që sot ka enveristë? Ta heqim termin komunistë nga biseda. Ka enveristë sot në Shqipëri?
Jonila Godole: Po! Mendoj që ka enveristë sot në Shqipëri, siç mendoj që ka komunistë jo, por neokomunistët e rinj marksistët, të cilët do jenë gjithmonë aty. Ka enveristë që e kanë kuptuar fare mirë që ajo që u instaloi Enver Hoxha me shpurën e vet atëherë nuk ishte diçka që duhet lavdëruar, por ata kanë pasur shumë përfitime dhe çdo mohim i asaj epoke që ka qenë do të bënte që ata të humbisnin.
Ajo tregoi se për të është problematike fakti që Nexhmije Hoxha edhe pas rënies së diktaturës nuk ka reflektuar mbi gabimet e sistemit që drejtoi bashkëshorti i saj.
“Kam parë intervista që ka bërë në Shqipëri, të cilat për mua kanë qenë shumë problematike, por i kam parë dhe intervista që i ka dhënë jashtë. Janë bërë disa dokumentarë jashtë dhe vazhdojnë transmetohen, pa reflektuar njësoj si gratë e liderëve të tjerë të lindjes. Absolutisht të bindura që ato kanë punuar në një sistem të mirë dhe gjatë rrugës janë bërë gabime, por kauza ka qenë e drejtë”, u shpreh ajo.
Në fund, Godole tha se duhet të përfundojë procesi i njohjes me të shkuarën, sepse përndryshe nuk do të zbulohet kurrë e vërteta. Fakti që gjërat nuk janë sqaruar akoma në 2018-n mund të jetë bërë një përzierje e madhe ku edhe persona që kanë qenë në burg për arsye të ndryshme, kanë përfituar njësoj si të përndjekurit politikë.
“Sa më shumë të zgjatë procesi siç ne e kemi nga ’90-a e deri më sot, procesi që lihet në heshtje, në gri, në hije, gjithë ajo që ka ndodhur atëherë, aq më shumë do mbulohen fakte të ndryshme historike dhe dy do përzihen ata që ti i quan, të përndjekur që kanë qenë për bindje politike, të përzier me të tjerë që mund të kenë qenë të burgosur për arsye të tjera, por në ’90-ën kaluan te fronti i gjerë që u hap atëherë që të gjithë kanë qenë të përndjekur, pra kush ka qenë nëpër burgje. Dhe kjo është e sigurt, në vitin 2018 duke qenë se shumë gjëra nuk u sqaruan që në fillim të viteve ‘90, ti ke shumë të drejtë që tani mund të jetë bërë një miks i madh, një përzierje e madhe në të gjitha anët. Dhe kjo është diçka që nuk na ndihmon shumë që sigurimi në Shqipëri dhe të gjitha institucionet e tjera kishin si moto sesi të fusim dhe në rrethin e të internuarve dhe të burgosurve sesi të infiltrojmë persona që të pranojnë si të bëhen bashkëpunëtorë. Hapja e dosjeve na tregon se sa e mpleksur është kjo histori dhe sa shumë duhet të jemi të kujdesshëm kur flasim për atë kohë”, tha Godole.