Humbja në një çerekfinale Europiani është gjithmonë e vështirë për t’u pranuar, sidomos kur je një nga skuadrat favorite. Gjithsesi, te Belgjika shfaqen të sinqertë dhe urojnë Italinë për suksesin 2-1.
Portieri Thibaut Courtois dhe Kevin De Bruyne folën shkurt në lidhje me humbjen e mbrëmjes së kaluar kundër kombëtares së kaltër.
“E rëndë që u eliminuam, por e kishim të qartë se na priste një ndeshje shumë e vështirë. Kishim dy shanse të shkëlqyera, por portieri i Italisë kreu pritje fantastike. Mendoj se ua dhuruam golin e parë, e pësuam shumë lehtë.
Mund të kishte ndodhur gjithçka në këtë ndeshje, por Italia e meritoi kualifikimin“, deklaroi portieri i Real Madrid. Në të njëjtën linjë qëndron edhe Kevin De Bruyne, i cili pranon verdiktin e fushës dhe uron ekipin kundërshtar.
“Italia e meritoi kualifikimin, ata janë një skuadër e klasit të parë“, u shpreh shkurt fantazisti i Manchester City, i cili u shfaq disa herë i rrezikshëm, sidomos në pjesën e parë. /abcnews.al