Luis Enrique, trajneri i Spanjës, pas kualifikimit në gjysmëfinale të EURO 2020 ka folur për duelin me Zvicrën dhe normalisht kërkon që skuadra e tij t’i shkojë deri në fund këtij kompeticioni të madh për kombëtaret në Europë.
“Unë e kam thënë që në fillim se ne jemi një nga 7-8 ekipet, pa ekzagjerim, që mund ta fitojnë këtë trofe. Tani jemi një nga katër skuadrat. Jemi shumë krenarë.
Do ishte qesharake të mendojmë që ne, ose çdo gjysmëfinalist, të pranonte vetëm kualifikimin deri këtu. Të gjithë dëshirojmë të shkojmë në finale dhe të fitojmë”, tha fillimisht Enrique.
Më tej, në lidhje me ndeshjen, trajneri spanjoll u shpreh: “U përballëm me Zvicrën duke e ditur nivelin dhe kapacitetin e tyre. Kundërshtari nuk bëri presing shumë lart, siç mund të bënte.
Loja u bë e rrezikshme kur ndeshja shkoi 1-0. Ata po ndërtonin aksione sulmuese të mira. Pas kartonit të kuq loja ndryshoi krejtësisht, ne dominuam, ishim të rrezikshëm dhe krijuam raste”.
Për penalltitë, në fund Enrique deklaroi: “Ishin penalltitë më të qeta që kam përjetuar ndonjëherë, sepse ne i kishim bërë të gjitha detyrat e shtëpisë, të gjitha stërvitjet dhe nuk kishte mbetur asgjë për mua dhe për stafin. Ata thonë që penalltitë janë lotari, por kjo është krejtësisht false.
Fitonte ose jo me penallti, ekipi e kishte bërë punën e tij në mënyrë perfekte në gjykimin tim, për mënyrë si i kanë trajtuar gjërat, si kanë luajtur dhe si e kanë përfaqësuar Spanjën”. /abcnews.al