Gjonaj: 22 largime nga puna në Drejtorinë e Hetimit Tatimor Shkodër

schedule14:03 - 7 Nëntor, 2018

schedule 14:03 - 7 Nëntor, 2018

22 persona janë larguar nga puna dhe 14 kanë marrë vërejtje me paralajmërim për largim nga puna në Drejtorinë e Hetimit Tatimor Shkodër. 36 masat displinore janë marrë pas denoncimit të qytetarëve në platformën e bashkëqeverisjes raporton Koordinatorja Kombëtare e Antikorrupsionit, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

“Strukturat Antikorrupsion nën drejtimin e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion ka vijuar punën për zbatimin e planit të veprimit të miratuar nga qeveria.

Në këtë kuadër Task Forca Antikorrupsion gjatë javës që kaloi ka kryer një kontroll të thelluar në Drejtorinë e Hetimit Tatimor – Rajoni Verior Shkodër.

 Një denoncim i kryer në platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al ka qenë edhe në këtë rast pikënisja e këtij kontrolli të ushtruar nga Task Forca Antikorrupsion, me objekt verifikimin e zbatimit të kuadrit ligjor në marrjen e masave administrative ndaj subjekteve ekonomike dhe ekzekutimin e tyre.

Gjatë kontrollit janë konstatuar një sërë shkeljesh të ndryshme të cilat lidhen me mosrespektimin e kritereve ligjore, shkelje të rregullave të inspektimit apo mangësi në plotësimin dhe mbajtjen e dokumentacionit përkatës.

Nga kontrolli në Drejtorinë e Hetimit Tatimor Shkodër, për shkeljet e konstatuara, në raportin përfundimtar janë rekomanduar gjithsej 36 masa disiplinore, prej të cilave 22 largime nga puna dhe 14 vërejtje me paralajmërim për largim nga puna.

Është rekomanduar largimi nga detyra për:

Drejtorin e Drejtorisë së Hetimit Tatimor – Rajoni Verior Shkodër

21 inspektorë të hetimit tatimor.

Ndërkohë janë rekomanduar vërejtje me paralajmërim për largim nga puna për:

1 Përgjegjës Sektori i Zbatimit

13 inspektorë të hetimit tatimor;

Ndërkohë ka vijuar bashkëpunimi shumë i mirë i Task Forcës Antikorrupsion me Policinë e Shtetit, Prokurorinë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese në vend.

Nga strukturat e Policisë së Shtetit gjatë javës së kaluar janë evidentuar 13 vepra penale në fushën e korrupsioni dhe vepra penale kryer nga punonjës shtetërore publikë.

Nga Policia e Shtetit janë proceduar penalisht 26  autorë, nga të cilët:

7  prej tyre janë të arrestuar dhe ndaluar;

17 autorë ndiqen në gjendje të lirë;

dhe 2 prej tyre janë shpallur në kërkim.

Ndër personat e ndaluar janë 4 ish-punonjës të ZVRPP Kavajë, për të cilët Gjykata e Apelit Durrës, ka dhënë masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Ndërkohë nga ana e Policisë së Shtetit janë referuar materialet në Prokurori për:

1 Ish-kryetar komune në Lezhë;

2 Ish-komisionerë për ndarjen e tokave në Velipojë të Shkodrës;

Të gjithë këta persona akuzohen për veprat penale si:

 “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”

“Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”

“Shpërdorimi i detyrës”

“Falsifikimi i dokumenteve”

Ne jemi të ndërgjegjshëm se lufta kundër korrupsionit, është një sfidë e vazhdueshme dhe komplekse që nuk mund të kufizohet as në kohë e as në hapësirën e kontrollit.

Por jemi po ashtu të bindur, dhe rezultatet e fundit siç është rasti i Drejtorisë së Hetimit Tatimor në  Shkodër na i kanë konfirmuar, se me një bashkëpunim të mirë me publikun mund të arrijmë ta bëjmë edhe më efikase këtë luftë.”/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!