Tirana ka hedhur kandidaturën për t’u zgjedhur “Kryeqyteti Europian i Kulturës 2024”. Kjo sipas kryebashkiakut Veliaj do të jetë një tjetër histori sukesi për kryeqytetin shqiptar.
Tirana kandidon për të qenë qendra e kulturës europiane në vitin 2024. Kryetari i bashkisë Erion Veliaj e konfirmoi nga Fierence, ku mori pjesë në Konferencën e parë të Kryeqyteteve Europiane të Kulturës.
Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë së Tiranës: “Shqipëria ka aplikuar për të qenë kandidate në vitin 2024, ndaj e kemi shfrytëzuar këtë mundësi të shkëlqyer të gjithë kryeqyteteve evropiane të kulturës në të kaluarën, për të lobuar për kandidaturën tonë. Falë kontributit të mikut tonë, Dario Nardella, kryetar i Bashkisë së Firences, qytetit tonë binjak, besoj se Shqipëria ka shanse shumë të mira, duke qenë se do të ketë edhe mbështetjen e këtyre qyteteve në përgatitjen e kandidaturës së saj për vitin 2024”.
Veliaj thotë se përgatitjet kanë nisur dhe se kjo do të jetë një tjetër histori sukesi.
“Si të gjitha qytetet që kandidojnë për të qenë mikpritës të Lojërave Olimpike, Kampionatit Botëror të Futbollit apo të aktiviteteve të ndryshme, përgatitjet fillojnë vite më përpara. Ndaj, po i fillojmë përgatitjet 4-5 vite përpara, që kur të kemi edhe infrastrukturën, edhe buxhetin e nevojshëm, plus ndihmën që vjen nga Komisioni Evropian, besoj do të prodhojmë një histori tjetër suksesi për Tiranën tonë”.
Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me qeverinë sipas kryebashkiakut Veliaj i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë artit dhe kulturës, duke shumëfishuar buxhetin e vendosur në dispozicion./abcnews.al