Italia zbret në fushë nesër në mbrëmje. Përballë Austria, rival që duhet kaluar për të avancuar drejt çerekfinaleve të Euro 2020. Kapiteni i kombëtares së kaltër në mungesë të Chiellinit (i dëmtuar), Leonardo Bonucci flet për mediat përpara takimit që do të luhet në “Wembley” (21:00).
Pyetja e parë lidhet me faktin nëse lojtarët e ekipit të Mancinit do të gjunjëzohen përpara nisjes së ndeshjes. Ndaj Uellsit, disa u gjunjëzuan në ndër të luftës ndaj racizmit, ndërsa të tjerë azzurrë qëndruan në këmbë.
“Kur të kthehemi në hotel do të marrim një vendim në lidhje me këtë çështje, do të vendosim të gjithë bashkë se çfarë do të bëjmë“, deklaron mbrojtësi i Juventusit. Më pas Austria, kundërshtari i së shtunës.
“E respektojmë Austrinë dhe lojtarët e saj. Kanë aftësi dhe freski për të zhvilluar një ndeshje të madhe. Ne jemi gati, si gjithmonë do të luajmë futbollin tonë.
Na pret një ndeshje e rëndësishme ndaj një kundërshtari të fortë dhe përjetimi është ai i zakonshmi. Klima është shumë e mirë në skuadër.
Stili i lojës? E kam thënë gjithmonë që ka ndeshje ku duhet të shfaqesh i bukur dhe në raste të tjera i keq e i ‘shpifur’. Kur ka qenë e nevojshme ruajtja e rezultatit, e kemi bërë. Duhet të jemi të aftë për të lexuar momentet e lojës“, theksoi 34-vjeçari. /abcnews.al