Xherdan Shaqiri nuk udhëton për në Beograd me Liverpulin

schedule16:27 - 5 Nëntor, 2018

schedule 16:27 - 5 Nëntor, 2018

Xherdan Shaqiri nuk do të udhëtojë në Beograd për ndeshjen e Liverpulit në Champions. Klubi anglez nuk deshi të rrezikonte konflikt me tifozët serbë, që mund ta sulmonin shqiptarin e Zvicrës.

Festimi pas këtij goli thuhet se e bëri të pamundur. Shqiponja e bërë me duar në rrjetën e Zvicrës ndaj Serbisë, mund të quhet arsyeja kryesore që Xherdan Shaqiri nuk do të jetë në Beograd me Liverpulin për ndeshjen e Championsit.

Shqiptari i Zvicrës u sulmua shumë, në Serbi, por edhe në vendin e tij, ndërsa trajneri Jurgen Klop mori vendimin për të mos e marrë me vete në udhëtimin e fundit.

“Duam që të përqëndrohemi vetëm tek futbolli, – u shpreh Klopi, – do të shkojmë në një qytet të shkëlqyer si Beogradi dhe duam që të japim vetëm mesazh sportiv”.

Nëse Shaqiri do të shkonte me skuadrën, pritej reagim i ashpër i grupimit të tifozëve ultras të Zvezdës, të njohur me emrin “Delije”, dhe që janë në gjendje të krijontë trazira, ashtu si ata të Partizanit të Beogradit.

Frika në kryeqytetin e Serbisë ishte e madhe, siç u pa edhe vitin e kaluar kur Skënderbeu luajti ndaj Partizanit në Ligën e Europës.

Mediat serbe i dhanë jehonë lajmit.

“B92” shkroi thjesht: Klopi e pohon që Liverpuli nuk do ta marrë Shaqirin me vete në Beograd!

“Kurir” bëri më shumë koment: Shaqiri nuk do ta shohë ferrin e “Marakanës”! Shqiptari mbetet në Angli, dhe trajneri Klop thotë: Na thanë se çfarë pritjeje do t’i bëhej atij!

Mungesa e Shaqirit pritet të jetë një minus për anglezët.

Ai luajti shumë mirë në ndeshjen e parë ndaj Zvezdës në “Anfild”, fituar 4-0 nga Liverpuli, dhe ka qenë në formë të shkëlqyer gjatë këtij sezoni.

Shqiptari i Zvicrës ka shënuar gola, ka shërbyer pasime vendimtare dhe ka fituar minutazh gjithnjë e më të madh në fushë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!