Nga Leontina Nika
Ringjallet Dramaturgu dhe shkrimtari i njohur Et’hem Haxhiademi.
Ai u dënua me harresë në dy kohë, në komunizëm, dhe demokraci.
“Në tri dekadat e fundit nuk ka pasur ndonjë iniciativë institucionale që t’i kthehet vëmendja e merituar tek tema e Haxhiademi. Ky është një vit kthese që më se paku ta njohim si fytyrë, t’i njohim veprat dhe të përfshihet më shumë në programet universitare”, thotë Shaban Sinani.
Poeti Arjan Leka , në vitin 2016, gërvishti faqet e historisë, pasi e shijoi në vetë të parë poezinë e tij, e më pas e solli para lexuesit shqiptar, portretin dhe veprën e tij, përmes një numri të veçantë në revistën “Poeteka”.
“Është një marrëdhënie me paraardhësit. Është si t’i japësh dorën një paraardhësi ta ndjesh që ai rivjen në jetë jo vetëm për ty”, thotë ai.
Tashmë nën strehën e Akademisë së Shkencave, bëhen bashkë disa institucione dhe studiues për t’i dhënë zë veprës së tij të plotë.
Shaban Sinani, thotë se Ethem Haxhiadem ishte kundra rrymës, ky fakt çoi në dënim të rëndë për shkrimtarin, i cili mbylli sytë në burgun e Burrelit në vitin 1965.
“Përgjithësisht ka mbajtur të njëjtat sjellje tekanjoze si të gjithë talentet e mëdhenj. Kujtoj që ka shkuar në Konferencën e Mukjes ka qëndruar një ditë dhe është larguar sepse nuk i ka pëlqyer ajo konferencë. Pra janë veprime siç i kanë bërë edhe shumë të tjerë sepse ka besuar më shumë në mendjen e tyre, pra ka sjellje anti-rrymë”, shprehet ai.
Leka nënvizon faktin se deri në vitin ‘39 kritika letrare, i dedikoi shumë artikuj, ç’ka tregon interesin për veprën e tij.
“Nga ’34 në ’44 që janë 10 vjet, pra janë rreth 40 artikuj kritik pohues mes tyre dhe qortues. Ka qenë në qendër të vëmendjes së publikut kritik të asaj kohë”, thotë ai.
Pas prezantimit të këtij botimi bazuar në veprat origjinale, 9 veprat do të përmblidhen së bashku, shoqëruar me shënime dhe parathënie të studiuesve për veprën e tij./abcnews.al/