Falsifikonin teste për Covid, burg për mjekun e QSUT-së dhe 13 persona të tjerë

schedule16:56 - 24 Qershor, 2021

schedule 16:56 - 24 Qershor, 2021

Nga Ermal Vija

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 14 persona mes të cilëve edhe mjeku i QSUT Klodian Muharremi, pasi akuzohen se falsifikonin përgjigjet e testeve të Covid.

E vetmja që u lirua me detyrimin për tu paraqitur në prokurori është mjekja e farmacisë “Farmate net”, Marinela Kalaja.

Në dosjen e siguruar  nga “ABC” mësohet se hetimi ka nisur pas kallëzimit në prokurori të një prej administratorëve të laboratorëve privatë me pretendimin se përmes falsifikimit të testeve Covid, ishte dëmtuar imazhi i kompanisë.

Nga hetimet ka rezultuar, se Ronald Karrica është personi që organizonte skemën kriminale.

Ai bashkëpunonte me personat e tjerë dhe realizonin printimin e testeve Covid duke falsifikuar logot e laboratorëve “Alnet”, “Genius” dhe “Intermedica”.

Për çdo vërtetim merrnin nga 15 deri në 25 euro.

Sipas prokurorisë, Karrica që është edhe pronari i një dyqani internet-fotokopje, bashkëpunonte me punonjës të agjencive turistike që prenotonin teste false për persona të ndryshëm kundrejt pagesës./abcnews.al/