Gjykata rrëzon provat e prokurorisë për Ervis Martinajn

schedule11:48 - 4 Nëntor, 2018

schedule 11:48 - 4 Nëntor, 2018

Gjykata e Tiranës caktoi një masë të re sigurie “arrest në burg” me afat 30 ditor për Ervis Martinajn. Gjyqtari Artan Gjermeni zhvlerësoi disa nga provat e prokurorisë kundër biznesmenit të lojërave të fatit, duke pretenduar pasaktësi dhe mospërputhje.

Prokuroria e Tiranës dështoi në përpjekjen e saj për të mbajtur në paraburgim pa afat Ervis Martinajn. Ai u arrestua në 4 tetor pas ngjarjes në ish-bllok ku u plagos ai vetë dhe Eljon Hato, ndërsa u vra Fabian Gaxha. Gjyqtari Artan Gjermeni refuzoi kërkesën për “arrest në burg” të bërë të premten nga tre prokurorët e çështjes duke shtyrë vetëm me një muaj izolimin e Martinajt në qeli.

Provat e reja të paraqitura nga ana e prokurorisë rezultuan jo vetëm jo bindëse për gjykatën, por edhe me pasaktësi, ndërsa akuzat e reja të ngritura ndaj Ervis Martinajt, pa prova mbështetëse.

I tillë ishte mospërputhja e pretendimit të prokurorisë dhe akteve të provave të paraqitura në gjykatë sa i përket mbetjeve të barutit në duart dhe fytyrën e biznesmenit e lojërae të fatit Martinaj.

“Në ndyshim nga kërkesa objekt gjykimi ishte një gabim material dhe rezultati ishte që në duart dhe fytyrën e shtetasit Ervis Martinaj nuk u evidentuan mbetje te nitriteve dhe mbejtes së qitjeve me armë zjarri”.

Një tjetër provë e zhvlerësuar nga prokuroria, ishte akt-ekspertimi i kryer mbi aparatin telefonik celular i Ervis Martinajt. Ekspertët izraelitë mundën të gjejnë bisedat e biznesmenit pak para ngjarjes, ku ai u kërkon disa djemve të afrohen me armë, por gjykata ka konstatuar mospërputhje të numrit serial të telefonit dhe pasqyrimit në aktet e Akuzës.

“Gjykata konstaton faktin që numri imei të aparatit iphone X të sekuestruar Martinajt, sipas kërkesës objekt gjykimi dhe numrit imei të aparatit celular ka një mospërputhje”.

Në të njëjtin vendim, gjyqtari Gjermeni tha se në lidhje me dyshimet e ngritura për akuzën e “fshehjes së të ardhurave” dhe “falsifikimin i letërnjoftimeve, i pasaportae dhe vizave”, prokuroria duhet të kishte paraqitur një akt-ekspertimi kontabël dhe një akt-ekspertim krahasues për gjurmë gishtërinjsh.

Masa e re e sigurisë, e njëjtë me atë të dhënë ndaj tij në 7 tetor, i jep edhe 30 ditë kohë prokurorisë të paraqesë prova të reja, si dhe të saktësoje nëse mospërputhjet e konstatuara janë lapsuse. Aktualisht Martinaj po hetohet për 6 vepra penale, “vrasje në rrethana cilësuese”, “pastrimi i produkteve të veprës penale”, “falsifikim i letërnjoftimit, pasaportave ose vizave”, “organizim i llotarive të palejuara”, “vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara” dhe “fshehje e të ardhurave”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!