Seanca në Gjykatën Kushtetuese për “30 qershorin”, Kuvendi: Paditësi nuk gëzon legjitimitet

schedule16:30 - 23 Qershor, 2021

schedule 16:30 - 23 Qershor, 2021

Në Gjykatën Kushtetuese ka rifilluar seanca gjyqësore për zgjedhjet lokale të “30 qershorit”.

Shoqata e Bashkive e drejtuar nga Voltana Ademi, ka bërë padi dhe kërkon që këto zgjedhje të shpallen të pavlefshme.

Sipas Ademit, këto zgjedhje duhet të shpallen si antikushtetuese, ndërsa në mbledhjen e sotme në Gjykatën Kushtetuese përfaqësuesi i Kuvendit të Shqipërisë deklaroi se pala paditëse, kërkuesi është jo legjitim, duke iu referuar Voltana Ademit, e cila nuk është më kryetarja e Shoqatës së Bashkive, pasi në vend të saj është vendosur kreu i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu.

Ndërsa përfaqësuesja e Kuvendit, Mimoza Arbi thotë se Shoqata e Bashkive nuk mund të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.

“Deputetët çmuan se Presidenti me dekretin për anulimin e zgjedhjeve është në shkelje të Kushtetutës. Deputetët nënvizuan se Presidenti ka kryer shkelje të Kushtetutës”, u shpreh Arbi.

Po ashtu ajo më tej shton se Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion të shqyrtojë çështje që lidhen me proceset zgjedhore.

Subjektet e interesuara për çështjen janë Presidenti Republikës së Shqipërisë, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, Avokati i Popullit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Partia Bindja Demokratike./abcnews.al/