Ndonëse President i Republikës, përdor gjuhën e një diplomati. Në skadim të afatit që iI njeh Kushtetuta për t’u shprehur për Sandër Lleshin në krye të Ministrisë e Brendshme, Ilir Meta nuk do ta dekretojë propozimin e kryeministrit Edi Rama.
“Presidenti nuk mund të hedhë firmën për dekrete formale, sepse do të ishte papërgjegjshmëri. Aq më tepër për një detyrë të tillë, e cila në momentin aktual kërkon akoma edhe më shumë përgjegjësi dhe vëmendje. Në qoftë se do të kishte firmë, unë atë nuk do ta lija për ta shpallur në studion tuaj, pasi ajo do të ishte bërë publike”, tha Meta.
Para se të fliste publikisht për këtë çështje, kreu i shtetit duket se ka folur privatisht edhe me Kryeministrin Edi Rama.
“Kam bërë përpjekjet e mia dhe kam qenë mjaft bashkëpunues me të gjithë institucionet dhe personat që duhet të jenë të interesuar njëkohësisht për këtë çështje, ndaj edhe unë di t’i marr përgjegjësitë e mia me përgjegjshmëri të plotë, i pa ndikuar nga askush, as nga orët tuaja”, u shpreh ai.
Shqipëria, sipas Presidenti të Republikës, lufta me krimin e organizuar është edhe çështje e sigurisë kombëtare dhe ai si kryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare duhet të marrë një vendim kurajoz. Në këtë pikë Ilir Metën duket se nuk e bind as formimi ushtarak i Sandër Lleshit.
“Tepër e rëndësishme të kuptojmë që lufta kundër drogës dhe kundër krimit të organizuar nuk është një luftë teknike, por është një luftë politike. Që të jem edhe më konkret: Po të ishte teknike, Habilajt duhet t’i kishte arrestuar ky komisari”, u shpreh kreu i shtetit.
Për të përforcuar idenë se kjo betejë kërkon vullnet politik përmend Dritan Zaganin që foli për lidhje të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, me trafikantët ndërkombëtarë të drogës.
“Zagani, në Fier apo Vlorë ku ishte ai dhe nuk duhej ta kishin shkarkuar ata Zaganin, që ishte një kuadër i Policisë dhe shumë i trajnuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë dhe ta detyronin që të shkonte në azil në Zvicër dhe ata më pas të arrestoheshin nga anti-mafia në Itali. Por, sepse ishte politike ndodhi kjo gjë. Po të ishte teknike, do të ishte diçka ndryshe. Kështu që kjo kërkon një vullnet shumë të fortë politik, dhe kjo jo vetëm në përgjegjësinë vetëm të një ministri, apo kushdo qoftë ai”, theksoi Presidenti i Republikës.
Kreu i Shtetit vlerësoi vullnetin e Fatmir Xhafajt për të çuar para betejën me krimin ndërsa deklaroi se dekretin e firmosi pasi kishte të bënte me dorëheqje. Për herë të parë, Ilir Meta thotë hapur çfarë mendon për paraardhësin e Xhafajt, Saimir Tahiri, që i kujtoi publikisht darkën në shtëpinë e tij me Berishën e Bashën, një ditë para vendimit të pafajësisë për videopërgjimin e Dritan Priftit.
“Ç’koment mund të kem unë për një delinkuent që mbyti me drogë, jo vetëm Shqipërinë, por edhe Europën”, tha ai.
Eshtë momenti i reflektimit dhe Meta merr përgjegjësi që Saimir Tahiri drejtoi Ministrinë e Brendshme në kohën kur ai bashkëqeveriste me Edi Ramën.
“Natyrisht që nuk më shkarkon dhe mua nga përgjegjësia, për të kaluarën time. Besoj se një nga përgjegjësitë e mia është që një person i tillë kurrë nuk duhet të ishte bërë Ministër i Brendshëm dhe unë e kisha gjithë mundësinë për ta parandaluar një gjë të tillë. Por duke patur insistimin e Kryeministrit se ky ishte njeriu më i besuar se do të vendoste rendin dhe ligjin në Shqipëri, mendova të mos ja hiqnim këtë mundësi…E shkarkuan, e dinë vetë pse e bënë”, tha Meta.
Deklaratat e kreut të shtetit duket se do të hapin një tjetër debat publik, ndërsa nxjerrin në pah nivelin e marrëdhënies me kryeministrin e vendit, ku e shkuara duket se vijon të ndikojë të tashmen./abcnews.al

