OBSH: Vendet e varfra po përballen me mungesa të vaksinave

schedule12:01 - 22 Qershor, 2021

schedule 12:01 - 22 Qershor, 2021

Një numër i madh i vendeve të varfra që marrin vaksina anti-Covid përmes skemës globale të shpërndarjes po përballen me mungesa, sipas një deklaratë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Këshilltari i lartë i OBSH-së Dr Bruce Aylward tha se programi Covax kishte shpërndarë 90 milion doza në 131 vende. Por që nuk mund të siguronte doza për të gjithë botën kundër Covid-19.

Kjo pritet të përkeqësojë edhe më shumë situatën në Afrikë, i cili po përballet me një valë të tretë të Covid. Të hënën, Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa bëri thirrje për t’i dhënë fund diplomacisë së  vaksinave  ndërsa qeveria e tij po përpiqet të parandalojë përhapjen e Covid, raporton abcnews.al

Në një nivel kontinental, vetëm 40 milion doza janë administruar deri më tani në Afrikë – më pak se 2% e popullsisë, tha Ramaphosa. Për të adresuar këtë, ai tha se qeveria e tij ishte duke punuar me Covax për të krijuar një qendër rajonale për të prodhuar më shumë vaksina në Afrikën e Jugut.

Covax u krijua vitin e kaluar në mënyrë që vaksinat e Covid-19 të shpërndaheshin në të gjithë botën. Të udhëhequr nga OBSH-ja dhe organizata të tjera ndërkombëtare, Covax vendosi fillimisht një objektiv për të siguruar dy miliardë doza në të gjithë botën deri në fund të 2021.

Shumica e tyre po dhurohen në vendet e varfra, ku Covax shpreson të shpërndajë mjaftueshëm vaksina për të mbrojtur të paktën 20% të popullsisë. Sidoqoftë, shpërndarja e këtyre vaksinave është penguar nga vonesat në prodhim dhe furnizim, duke çuar në mungesa në vendet që varen plotësisht nga Covax, raporton abcnews.al

Uganda, Zimbabve, Bangladeshi dhe Trinidad dhe Tobago janë vetëm disa nga vendet që kanë raportuar se nuk kanë më vaksina. Nga 80 vendet me të ardhura të ulëta që janë pjesë e Covax, “të paktën gjysma e tyre nuk kanë vaksina të mjaftueshme për të  vaksinuar popullsinë,” tha Aylward.

Të hënën administrata e Presidentit të SHBA-së Joe Biden tha se do të dhuronte 55 milion doza vaksinash në vendet në nevojë. Këto vaksina nuk janë të përfshira në 500 milion doza që Presidenti Biden tha se SHBA-ja do të dhurojë përmes Covax.

Rikujtojmë se G7 u zotua të dhurojë një miliard vaksina në vendet e varfra gjatë këtij viti. Disa ekspertë shëndetësorë besojnë se do të duhen muaj – nëse jo vite  derisa e gjithë bota të vaksinohet kundër Covid./abcnews.al