Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur me votë unanime pezullimin nga detyra të prokurorit të Sarandës, Sali Hasa.
Prokurori u arrestua me urdhër të SPAK së bashku me pesë persona të tjerë. Pas hetimeve të nisura gushtin e kaluar për një grup trafikantësh të lëndëve narkotike ranë në përgjime, prokurori Hasa, oficeri i policisë Napolon Hodaj, një arbitër futbolli, drejtues i ekipit të futbollit në Përmet si dhe një ekspert mjeko-ligjor.
Referuar hetimeve ka rezultuar se Hasa ka pushuar akuzën e plagosjes për Emiljano Miranin, pasi ka marrë një shumë parash nga motra e tij, Elsona Papa që po hetohet nën masën e arrestit shtëpiak.
Njoftimi i plotë i KLP:
KLP vendosi me votë unanime pezullimin nga detyra të prokurorit Sali Hasa, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Sarandë, për shkak të masës së sigurisë “arrest me burg” dhënë me vendimin nr.40, datë 17.06.2021 dhe nr.44, datë 21.06.2021, të Gjykatës së Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Pezullimi zgjat deri në rënien e shkakut për të cilin është vendosur ky pezullim.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim në Gjykatën Administrative të Apelit.
g.v/abcnews.al