Pamjet, motra e autorit të krimit në zyrën e prokurorit Hasa, si u zbulua dhe arrestua

schedule19:14 - 21 Qershor, 2021

schedule 19:14 - 21 Qershor, 2021

Nga Ermal Vija

“ABC” siguron faktet që rëndojnë mbi prokurorin e Sarandës Sali Hasa, për të cilin gjykata vendosi masën arrest në burg. Në dosje janë fotot e momentit të takimit të motrës së autorit të plagosjes në zyrën e tij.

Në foto Elsona Papa, motra e Emiljan Mirjanit

Elsona Papa, motra e Emiljan Mirjanit sipas prokurorisë së posaçme, është personi që i ka dhënë një shumë parash Prokurorit të Sarandës Sali Hasa që të lehtësojë akuzën për vëllain e saj të arrestuar për plagosje dhe armë mbajtje pa leje.

Referuar dosjes së prokurorisë, Papa është fotografuar në zyrën e prokurorit së bashkë me Edison Korkutin, i cili u plagos nga vëllai i saj. Sipas hetimeve ajo ka e ndikuar te prokurori për të pushuar hetimet për vëllain e saj që akuzohej për plagosje me dashje dhe mbajtje të armëve të ftohta.

Mesditën e së hënës gjykata e posaçme ka lënë në burg prokurorin Sali Hasa, dhe 4 të arrestuarit e tjerë. Mes të cilëve arbitrin Qerim Ruçi që gjykoi ndeshjen Selinica-Përmeti, ndërsa në masën e arrestit shtëpiak do të qëndrojë zyrtari i Klubit të Përmetit, Bledar Hajdini që akuzohen për “Paracaktim të rezultateve në garat sportive”.

Në burg është lënë edhe oficeri i policisë gjyqësore Napolon Hodaj, si dhe Julian Zera që dyshohet se në bashkëpunim me ish- ekspertin mjeko-ligjor, Hysen Korenica kanë ndikuar për t’i lehtësuar akuzën një të arrestuari për “Vjedhje me dhunë” dhe “Plagosje”.

Po kështu gjykata caktoi masën e arrestit shtëpiak edhe për Elsona Papën dhe ekspertin mjeko ligjor Hysen Korenica. Të gjithë këto të dhëna kanë dalë gjatë hetimeve të prokurorisë së posaçme që çoi në pranga gjyqtaren e Krujës Enkelda Hoxha. Arrestimi I kësaj të fundit zbuloi një skemë korruptive të njerëzve të drejtësisë, por edhe korrupsion në radhët e bluzave të bardha. d.b/Abcnews.al